Prishtinë, 24 shtator 2023 – Një polic i Kosovës është vrarë dhe një tjetër është plagosur në një sulm të armatosur në pjesën veriore të Kosovës. Sulmi me armë të ndryshme, përfshirë granata dore dhe raketë dore, është kryer në orët e para të së dielës, në fshatin Banjskë, në rrugën midis Mitrovicës dhe Leposaviq.
Mediet në Kosovë njoftuan se në këtë sulm është vrarë rreshteri është Afrim Bunjaku, ndërsa identiteti i të plagosurit nuk është publikuar.
Policia e Kosovës bëri të ditur se sulmuesit e kishin bllokuar rrugën me dy kamionë pa targa në urën në hyrje të fshatit Bajnskë dhe pjesëtarët e policisë kanë shkuar për të zhbllokuar rrugën, ku janë sulmuar nga disa pozicione.
“Gjatë realizimit të detyrave policore, sot rreth orës 02:34 në Mitrovicë Veri, njësia për ndërhyrje të shpejtë e policisë kufitare ka vërejtur se në hyrje të fshatit Bajnskë, në urë, janë vendosur dy mjetet të rënda, kamionë (pa targa) dhe hyrja në këtë fshat përmes urës nuk mund të bëhet, pasi e njëjta është bllokuar.
Njësitë e rendit të Stacionit Policor Zveqan, pas pranimit të informacionit i janë përgjigjur rastit dhe janë nisur me tri njësi në drejtim të lokacionit dhe posa kanë mbërri në afërsi të vendit ku është raportuar bllokada, njësitë policore kanë hasur në rezistencë ku nga disa pozicione të ndryshme janë gjuajtur me arsenal armësh të zjarrit, përfshirë këtu edhe me granata dore dhe zollë, ku si pasojë e gjuajtjeve janë qëlluar me armë zjarri dy zyrtarë policorë”, njoftoi policia.
Në njoftim thuhet se zyrtarët policorë të plagosur janë tërhequr nga vendi i ngjarjes dhe janë transportuar në Spitalin Rajonal në Mitrovicë të Jugut, ku nga mjeku kujdestar është konstatuar vdekja e njërit nga zyrtarët policorë, ndërsa dy zyrtarë të tjerë, njëri i plagosur dhe tjetri i lënduar janë transportuar në SHSKUK për trajtim të mëtutjeshëm mjekësor.
Mjeku kujdestar në Klinikën Torakale të Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë ka konfirmuar se një pjesëtari të policisë të plagosur i është hequr një cifël e granatës që ia kshtë lagosur dorën e majtë dhe i kishte depërtuar në krahëror deri te pjesa e mushkërisë. Sipas tij, i plagosuri është jashtë rrezikut për jetë.
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti e ka ciilësuar këtë sulm si akt kriminal e terrorist, të organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar.
“Krimi i organizuar me mbështetje politike, financiare dhe logjistike nga Beogradi zyrtar po e sulmon shtetin tonë. Në këtë betejë ne mbrojmë dhe zbatojmë ligjin, mbrojmë dhe ruajmë qytetarët pa dallim dhe Kosovën e pavarur. Kriminelët ekzekutorë dhe urdhërdhënësit e tyre do të dështojnë, do të kapen, gjykohen e dënohen. Qeveria e Republikës së Kosovës dhe institucionet e shtetit janë të gatshme dhe të bashkërenduara për t’iu përgjigjur krimit dhe kriminelëve, terrorit dhe terroristëve”, ka shkruar Kurti.
(r.m.)