Nju Jork, 4 janar 2023 – Një person nga Nju Jorku u dënua të martën me dy vite burgim pasi planifikoi vjedhjen e sekreteve tregtare të kompanisë General Electric Co. dhe dhënien e tyre Kinës, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.
Xiaoqing Zheng, nga qyteti Niskayuna, i shtetit Nju Jork, u dënua për komplot spiunazhi ekonomik, pas një gjyqi katër javor që mbaroi në mars të vitit të kaluar, njoftoi Departamenti i Drejtësisë. Gjykatësja Mae D’Agostino e dënoi zotin Zheng gjithashtu me një gjobë prej 7,500 dollarësh dhe me një vit tjetër vuajtjeje dënimi me kusht, pasi të ketë përfunduar periudhën e burgimit.
Zyrtarët amerikanë kanë thënë se qeveria kineze përfaqëson kërcënimin më të madh afatgjatë për ekonominë amerikane dhe sigurinë kombëtare, dhe se po bën përpjekje të paprecedenta për të vjedhur teknologjinë jetike nga bizneset dhe shkencëtarët amerikanë. Kina i mohon këto akuza.
Zoti Zheng ishte punësuar në Centralin e kompanisë General Electric (GE) në Schenectady të Nju Jorkut, si inxhinier i specializuar për teknologjinë e turbinave. Sipas Departamentit të Drejtësisë, ai punoi për kompaninë GE, nga viti 2008 deri në verën e vitit 2018.
Sipas evidencës së paraqitur në gjyq, zoti Zheng dhe persona të tjerë në Kinë komplotuan për të vjedhur sekretet tregtare të kompanisë GE në lidhje me teknologjinë e turbinave për avionët dhe ato në objektet tokësore, për t’i dhënë Kinës, kompanive dhe universiteteve kineze që bëjnë punë kërkimore dhe prodhojnë pjesë turbinash, njoftoi Departamenti amerikan i Drejtësisë.
“Është një rast klasik i spiunazhit ekonomik. Zheng shfrytëzoi besimin që i ishte dhënë, tradhëtoi punëdhënësin e tij dhe komplotoi me qeverinë e Kinës për të vjedhur teknologjinë novatore amerikane”, tha ndihmës prokurori i përgjithshëm Matthew Olsen, i cili drejton divizionin e sigurisë kombëtare në Departamentin amerikan të Drejtësisë.
Shtetet e Bashkuara i ngritën akuzat në vitin 2019 ndaj ish-inxhinierit dhe një tjetër sipërmarrësi kinez të quajtur Zhaoxi Zhang, për vjedhje sekretesh dhe spiunazh në kompaninë General Electric, për përfitimin e Kinës. Në atë kohë, zoti Zheng ishte vetëdeklaruar i pafajshëm.
Një gjykatë federale në Cincinnati dënoi në nëntor një shtetas kinez me 20 vite burgim, pasi u gjet fajtor për komplot për vjedhje sekretesh tregtare nga disa kompani amerikane të aviacionit dhe aeronautikës.
(Zëri i Amerikës)