Një punonjëse e televizionit rus proteston në studio kundër luftës në Ukrainë

Moskë, 15 mars 2022 – Marina Ovsyannikova, punonjëse në Kanalin Një, ka gjetur një mënyrë për të protestuar kundër agresionit të Rusisë në Ukrainë, para një auditori shumë milionësh.

Të hënën në mbrëmje, në emisionin e lajmeve, ajo doli papritur prapa prezantueses, e cila po njoftonte për planet e Qeverisë së Rusisë për zbutjen e efekteve të sanksioneve të Perëndimit.

Ovsyannikova mbante në duar një tabelë me thirrje kundër luftës në Ukrainë dhe kundër propagandës ruse: “Jo luftës!”, “Ndalojeni luftën!”, “Mos i besoni propagandës!” dhe “Ata po gënjejnë këtu”.

Ovsyannikova me thirrjet e saj të afishuara në tabelë ka qëndruar në ekran disa sekonda, derisa nga studio ka nisur transmetimi i një raporti të regjistruar.

https://www.evropaelire.org/a/protestuese-televizion-shteteror-rus/31752964.html

Në një video të regjistruar e të postuar në internet para protestës së saj në televizion, Ovsyannikova, e cila e ka identifikuar veten si punonjëse të Kanalit Një, e ka quajtur Rusinë agresore dhe Putinin përgjegjës për agresionin.

“Ajo që po ndodh tani është një krim. Rusia është një vend agresor dhe [presidenti rus] Vladimir Putin është i vetmi përgjegjës për këtë agresion”, ka thënë ajo.

“… dhjetë brezat e ardhshëm të pasardhësve tanë nuk do ta lajnë turpin e kësaj lufte vëllavrasëse”, ka  thënë Ovsyannikova.

Ajo u ka bërë thirrje qytetarëve rusë që të dalin të protestojnë kundër agresionit rus në Ukrainë.

Tash për tash, nuk ka informacione të verifikuara se çfarë ka ndodhur me Ovsyannikovan, por besohet se ajo është arrestuar dhe tani gjendet në paraburgim.

Mijëra protestues janë arrestuar në qytete të ndryshme të Rusisë për shkak të protestave kundër luftës në Ukrainë. Megjithatë, shumica e rusëve besojnë se Rusia po bën gjënë e duhur në Ukrainë, për shkak se në mediet ruse plasohet vetëm version zyrtar i agresionit rus në Ukrainë.

(Sipas REL)