Komuna e Prishtinës në mbledhjen e mbajtur sot ka marrë vendim për ndryshimin e emrit të rrugës A, duke emëruar atë me ermin e veprimtarit të shquar të komunitetit shqiptaro-amerikan Jim Xhema.
Propozimin për ndryshimin e emrit e bëri kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, i cili tha se Xhema është një hero kombëtar i kohërave tona moderne.
“Desha të propozoj emërimin e rrugës A në emër të heroit tonë Xhim Xhema. Xhim Xhema një patrioti i yni që me punën e palodhshme la gjurmë të pashlyeshme në historinë tonë moderne. Ai dha kontribut të madh për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës. Emri i tij është Xhemajl Xhema, por për shkak se jetoi në Amerikë u njoftë si Xhim Xhema”, tha Rama.
Ky propozim mori 45 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
Jim Xhema ka luajtur një rol të jashtëzakonshëm në mbështetje të kauzës së Kosovës në SHBA. Miqësia e tij personale me Senatorin e fuqishëm Bob Dole hapi dyert kryesore të politikës amerikane për lobimin në ndihmë të Kosovës dhe shqiptarëve kudo që jetojnë.
Jim Xhema u lind në Luginën e Preshevës, emigroi në SHBA në moshë të re dhe arriti një sukses të madh në biznes. Pasurinë e vuri në shërbim të kombit dhe kauzave humanitare. Mbetet edhe sot një nga figurat kryesore e më të nderuara të komunitetit shqiptar në Amerikë. (Illyria)
Në fotografi lart, nga e majta, Mehdi Hajdari, Senatori Bob Dole, dhe Jim Xhema, në një nga manifestimet në mbështetje të Kosovës, në SHBA.