Një rrugë në Tiranë emërtohet “Ukraina e Lirë”

Tiranë, 7 mars 2022 – Këshilli Bashkiak i Tiranës e ka miratuar sot, më 7mars, vendimin “Për emërtimin e një rruge me emrin “Ukraina e lirë””, në Bllokun e Ambasadave, ku ndodhen edhe Ambasada e Ukrainës, por edhe ajo e Rusisë.

Në mbledhjen e posaçme të Këshillit, ku u votua për emërtimin e kësaj rruge, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u shpreh se solidariteti i Shqipërisë me popullin ukrainas është edhe më i madh, për shkak të përvojës me luftën e Kosovës.

“Është një simbolikë tjetër se s’mund të rrimë duarkryq! Nuk është e rastit që pikërisht në atë rrugë ndodhet edhe ambasada e Rusisë, Serbisë dhe Kosovës! Është e rëndësishme të flasësh me simbole. Ama duhet të flasësh siç duhet, duhet të veprosh siç duhet e të bësh gjestet e duhura për të mirën e njeriut. Është një shenjë simbolike miqësie emri i rrugës Heronjtë e Ukrainës. Në këtë mënyrë, së pari dëshmojmë publikisht mbështetjen dhe së dyti kemi bërë një gjest kuptimplotë, një gjest human,” tha ndër të tjera Veliaj.

Ai tha se Republika e Shqipërisë, në vazhdim të politikave të saj mbështetëse ndaj Ukrainës, propozoi një rezolutë të përbashkët me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të dënuar sulmin rus në Ukrainë.

Pak ditë më parë, edhe Kryeministri Edi Rama, në një bisedë të drejtpërdrejtë me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, premtoi ndihmë praktike për popullin e Ukrainës.

“Në këtë situatë, si Kryeqyteti Europian i Rinisë, të frymëzuar nga shumë djem dhe vajza të reja, por edhe plot qytetarë të zakonshëm, kemi vendosur të mos rrimë indiferentë! Prandaj kemi bashkuar forcat në shenjë solidarizimi për të mbledhur dhe për të dërguar sa më shumë ndihma për ukrainasit, pse jo edhe për t’i pritur ata me zemrën e hapur nëse do të jetë nevoja, ashtu si 1500 familje të Tiranës tashmë kanë paraqitur gatishmërinë e tyre për t’u ofruar atyre në të gjitha format miqësinë, por edhe kurajon për të cilën kanë aq shumë nevojë në këto momente. T’i ofrosh këto të dyja është gjithnjë e mundur dhe ne shqiptarët e dimë fare mirë këtë. E kemi provuar nga fare afër me rastin e luftës së Kosovës, se gjeste të tilla bëjnë diferencën në botën ku jetojmë sot,” u shpreh Veliaj.

Votimi i propozimit u bë me kartonë me ngjyrat e flamurit të Ukrainës. 

(r.m.)