Një serb ndalohet në veri, për shkelje të rendit kushtetues të Kosovës

Prishtinë, 13 prill 2024 – Policia e Kosovës njoftoi se të shtunën në pikën kufitare me Serbinë, në Bërnjak, e ka ndaluar Sreqko Sofronijeviqin, për pjesëmarrje në protestat e vitit 2021, të organizuara për shkak të zbatimit të një aksioni kundër kontrabandës me mallra nga Serbia.

Gjatë përleshjeve të protestuesve me zyrtarët policorë qenë plagosur dhjetëra persona, nga të dyja palët, përfshirë edhe Sofronijeviqin.

Zëvendësdrejtori i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani ka thënë për Radion Evropa e Lirë se Sreqko Sofronijeviq akuzohet për “shkelje të rendit kushtetues” dhe se ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.

Lista Serbe, partia më e madhe e serbëve në Kosovë që kontrollohet nga Beogradi zyrtar, e ka dënuar ndalimin e Sofronijeviqit, duke akuzuar rëndë organet e rendit në Kosovë.

“Në listen e të arrestuarve janë më shumë se 80 persona në lidhje me sulmin ndaj rendit kushtetues, disa prej të cilëve mjekë, biznesmenë, përfaqësues politikë të popullit serb, drejtorë të institucioneve dhe institucioneve publike”, ka thӕn՞ Lista Serbe.

Kjo parti u ka bërë thirrje përfaqësuesve ndërkombëtarë që “të reagojnë urgjentisht dhe të parandalojnë shtypjen e mëtejshme të serbëve”.

Për arrestimin e Sofronijeviqit ka reaguar edhe Zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë. Ajo e ka cilësuar këtë si “represionin më të fundit të Policisë së Kosovës” ndaj komunitetit serb.

(r.m.)