Sikur dashuria dhe dhembshuria të zinin vend pak më tepër në zemrat e njerëzve, bota sot do të ishte më ndryshe, të pakten nuk do të ishte kaq e konfrontuar dhe rivalizuar, prandaj edhe ky takim i yni sot këtu në Shkup, në nderim të Krishtlindjes, le të jetë një xixë drite më tepër në tunelin e mosmarrëveshjeve e grindjeve midis njerëzve. Të gjithë ne meritojmë ardhmëri të dinjitetshme, por që të arrihet kjo, sot nevojitet mirëkuptim dhe interaksion më i madh human në mes të njerëzve.
Ja ku po takohemi sërish, këtu në Shkupin historik, në qyteti e Bogdanit e Nënës Tereze, për të dërguar mesazhin e paqes, mirëkuptimit e solidaritetit në vigjilje të festës së Krishtlindjes. Është ky një moment që na bashkon rreth idesë themelore të kësaj feste, siç është prirja për të qëndruar pranë familes, prandaj edhe ne që jemi mbledhur sot i takojmë familjes së përbashkët të vlerave e synimeve të njejta për një botë më të dinjitetshme dhe me më pak kontradikta e konflikte. Kjo ka qenë dhe mbetet zatën edhe kauza jonë shkencore e humane si Institut, në kuadër të të cilit tash e disa vite me sukses po vepron Departamenti për studimin e trashëgimisë shpirtërore të Gonxhe Bojaxhiut, Nënës Tereze.
Ndërlidhja e kësaj kauze me Shkupin, konfirmon rëndësinë që ka ky qytet i lashtë dardan për vet historinë kombëtare shqiptare por edhe për bashkëjetesën me popujt tjerë.
Se Shkupi pati të kaluar të lavdishme, për këtë flasin veprat dhe kontributet e atyre që e lartësuan këtë lavdi, siç ishin Pjetër Bogdanit, Toma Raspasani, Ndue Bytyçi, Lazër Mjeda, Zef Rama, Gaspër Gjini, të cilët lidhjen me Shkupin nuk e kishin vetëm në kuadër të rutinës që ua caktonte misioni kishtar, por kjo lidhje ishte shprehje e një vizioni që ata kishin për këtë qytet të lashtë, duke ia dhënë atij të gjitha atributet e një piemonti ku do të duhej të fermentohej gjithë vetëdija kulturore e historike e shqiptarëve.
Sot kur po ndajmë disa çaste bashkë në prag të festës sl Krishtlindjes, Shkupi nuk është ai që ka qenë dikur dhe këtë ndryshim më së shumti e përjetojnë pjesëtarët e komunitetit katolik shqiptar, numri i të cilëve fatkeqësisht po shkon gjithnjë e më tepër duke u reduktuar. Dhe kjo ceremoni festive e jona sot, nuk është asgjë tjetër pos një përpjekje për të kompenzuar disa mungesa që reflektohen në jetën shpirtërore të këtij komuniteti. Është kjo një përpjekje e jona modeste për të rikthyer shkëlqimin e dikurshëm që kishte kjo festë në Shkupin e bojaxhinjve, antonëve, serreqëve, ukajdarëve, gjinëve, ndrecëve, markajve etj. të cilët përbënin hartën shpirtërore të një kohe e të një hapësire ku shqiptarët ishin një faktor i qenësishëm i përparimit kulturor, ekonomik e social të Shkupit këtu e para 100 viteve.
’’Në këtë natë dashurie, le të kemi vetëm një frikë: se mund të ofendojmë dashurinë e Zotit, ta lëndojmë atë duke përçmuar të varfërit me indiferencën tonë’’, ishin këto fjalët e Papa Fraçesut në një ceremoni solemne të para do viteve të Krishtlindjes, dhe duke iu referuar këtyre fjalëve, ne sot mund të shprehim të njejtin shqetësim se mos vallë bota pe ofendon dashurinë e Zotit duke qëndruar indiferent ndaj përpjekjeve destabilizuese që po shfaqen në anë të ndryshme të globit, ku Lindja e Mesme dhe Ukraina, tani për tani, janë vatrat më aktive të këltij destabilzimi.
Një festë si Krishtlindja, mund të jetë një arsye më shumë, jo vetëm për një armëpushim të çastit, por edhe për një reflektim përmbajtësor mbi situatën kaotike nëpër të cilën po kalon njerëzimi sot, kjo edhe në frymën e fjalëve të Nënës Tereze e cila thoshte: “Ne nuk kemi nevojë për armë dhe bomba që të sjellim paqe në botë. Kemi nevojë për dashuri dhe dhembshuri.”
Sikur dashuria dhe dhembshuria të zinin vend pak më tepër në zemrat e njerëzve, bota sot do të ishte më ndryshe, të pakten nuk do të ishte kaq e konfrontuar dhe rivalizuar, prandaj edhe ky takim i yni sot këtu në Shkup, në nderim të Krishtlindjes, le të jetë një xixë drite më tepër në tunelin e mosmarrëveshjeve e grindjeve midis njerëzve. Të gjithë ne meritojmë ardhmëri të dinjitetshme, por që të arrihet kjo, sot nevojitet mirëkuptim dhe interaksion më i madh human në mes të njerëzve.
Duke iu uruar edhe njëherë gëzuar Krishtlindjen, ju shprehi mirënjohjen time gjithë juve që u bëtë pjesë e kësaj ceremonie solemne.
Shkup, 23 dhjetor 2024
(Fjalë e mbajtur në ceremoninë solemne me rastin e festës së Krishtlindjes organizuar në ITSHKSH)