Ruben Avxhiu
Ka diçka thellësisht njerëzore dhe të trishtuar në historinë e atyre të rinjve që 20 vjet e më shumë më parë braktisën gjithshka kishin në jetën e tyre dhe rrokën armët për liri, ndërsa sot jetojnë të harruar nga shoqëria dhe koha. Akoma më keq, të tjerë që në atë kohë u strukën e u shmangën, tani kanë marrë dokumentin që provon se ishin anëtarë të ushtrisë, të cilës i bënë bisht, në mos e kritikuan e denoncuan.
Kjo është jeta e njeriut në histori. Bota është më e mbushur me shembuj të tillë. Shoqëria shqiptare po ashtu.
Kur shërbyesit e vjetër të perandorisë turke u kthyen në patriotët më të mëdhej të Shqipërisë pavarur. Kur republikanët u kthyen në zogistë e shumë shërbyes të kohës së Zogut e të Italisë u dëshmuan komunistë të thekur. Madje që nga të parët e vendit.
Marksistët e parë e të vërtetë të Shqipërisë. Ata të rrallët që ndryshe nga shokët me kapele me yll në ballë i kishin lexuar klasikët marksizmit ishin ndër viktimat e para të diktaturës që valëviste flamurin hipokrit të ideologjisë së tyre. Sa nga ata që kishin luftuar me armë pushtuesit fashistë ishin vërtetë në listën e veteranëve.
E njëjta histori, në epokën tonë të demokracisë. Sa e sa flitet për krimet e komunizmit, për “bijtë e etërve” që u kthyen në pushtet. Po bijtë e etërve që vuajtën për 50 vjet rrallë ndonjëherë kanë qenë në role udhëheqëse.
Nuk është dukuri vetëm shqiptare. Është mbarënjerëzore. Po ka vende si Shqipëria ku heronjtë shihen me dyshim, në mos me tallje. Ku ka më shumë shans të abuzohen e të keqtrajtohen se të mbështeten. Ku përplasja shpesh nuk është mes moralit dhe imoralitetit, po mes dy imoraliteteve agresive.
E megjithatë kur vjen koha kritike, përsëri ka trima e njerëz me karakter që ngrihen përsëri. Pavarësisht nga tradhëtia e sigurtë, nga zhvgënjimi, nga bështyma e shoqërisë mbi ata që sakrifikojnë për të. Heronjtë e vërtetë nuk i do njeri. Ata mbeten të harruar. Shoqëria i do të vdekur. Në mos të vrarë në luftë, të vdekur më vonë. I do në buste e statuja, në piktura e faqe librash. I duan të afërmit e miqtë që të mjelin pak përfitim apo pak krenari nga emri i tyre.
Ka edhe heronj që ngjiten në pushtet e bëhen të pasur. Çmimi i suksesit dhe i mos-harresës është korruptimi i karakterit dhe idealeve. Ata që ishin gati të jepnin jetën tani nuk lëshojnë asnjë grimë pushteti, asnjë cent të vjedhur.
Sot, kur brezi i luftës qeveris Kosovën e kur vendi është gati që herët a vonë të kthejë faqen e historisë, sot kur festojmë një seri 20-vjetorësh të vitit më kritik për Kosovën; ia vlen ndoshta të lujtojmë se vetëm gjysma e këtij brezi historik është nën dritat e skenës. Gjysma tjetër, në mos më shumë ka humbur mes të çarave dhe vrimave të të përditshmes. Ai nuk do të jetë në tribunat e parakalimet e ditëve që vijnë.
Njërin prej tyre e vranë sot, kushedi në 20-vjetorin e cilës ngjarje. E gjetën në Prekaz të djegur shkrumb, jo larg nga vendi ku gjetën familjet e Jasharasve të vrarë e të shkrumbuar. Nuk e vranë duke luftuar për idealin. E vranë se nuk donin t’i kthenin një borxh prej 9 mijë eurosh. Në një vend ku po qarkullojnë prej vitesh milionat sa të vjen koka vërdallë.
Nuk do të jenë në skenë në javët dhe muajt e ardhshëm as edhe ata ish-ushtarë të UÇK-së të vetëvrarë në vite, nga traumat e luftës, nga turpi i varfërisë, nga marazi i padrejtësive në shoqëri. Sa e sa të tjerë kanë harruar se ku ishin 20 vjet më parë, ndërsa të tjerë që nuk qenë kanë hartuar narrative e përralla me trimëri e i kumbojnë me zë të lartë.
Nuk jetojmë në epokë morali të lartë. Madje çdo vit e rrënon nga pak gërmadhën e shëmtuar të etikës publike e personale të shoqërisë sonë.
Sot, nuk ka më rrezik jetik për njerëzi tanë. Ose ashtu na duket. Përleshjet dhe demonstratat e dhunshme nëpër rrugë janë mes vetë shqiptarëve. Sot, shqiptari e mbush armën për të mos paguar një borxh.
Një shoqëri e tërë është armatosur me lloj lloj imoralitetesh për të mos ia paguar borxhin atyre që sakrifikuan për të.
Nuk ka drejtësi të vërtetë historike për këto gjëra. Se procesi i manipulimit dhe korruptimit njerëzor e bën të pamundur që të vendosësh një vizë se ku fillon abuzimi me historinë e ku mbaron përpjekja njerëzore për një jetë më të mirë për fëmijët e për prindërit.
Do të ishte diçka e mirë që të këmbëngulte kurajoja për të ndëshkuar ata që abuzuan me listat e veteranëve. Akoma më e mirë që veteranëve të vërtetë t’u jepej mundësia për të jetuar me dinjitet në mos në begati. Por, kur një shoqëri toleron korrupsionin në çdo nyje të jetës së saj, këto masa drejtësie janë më shumë fantazi sesa një realitet i mundshëm.
Në këto ditë, kujtimesh entuziaste po edhe dëshpëruese, shpresa më e madhe në fakt, është ardhja e një brezi të ri heronjsh e sakrifikuesish. Të gatshëm për të sjellë një ndryshim historik në historinë e Kosovës dhe shqiptarëve. Jo me armë e me forcë, po me vullnet politik, fantazi e aftësi teknike e kultuore. Një brez trimash që frymëzohen nga idealizmi në zemrat e tyre e jo nga fantazi shpërblimesh e piedestalesh. Një aradhë heronjsh që shoqëria do t’i harrojë e abuzojë nesër, ndërsa do të korrë frytet e punës së tyre. E pavarësisht nga kjo ata nuk do të mungojnë.