Linz, 6 shtator 2024 – Një shtetas shqiptar, 29 vjeçar, i armatosur me një hanxhar u arrestua të premten nga policia, pasi i kërcënoi se do t’i vriste oficerët në një stacion të policisë në Gjermaninë perëndimore, të premten herët në mëngjes. Hetuesit thanë se besojnë se sulmi u krye për motive islamiste.
Prokurorët thanë se 29 vjeçari shqiptar arriti në stacionin e policisë në qytetin e vogël të Linz am Rhein, midis Koblenz-it dhe Bonit, rreth orës 02:40 të mëngjesit. Prokurorët thanë se ai vazhdimisht brohoriste “Allahu akbar” (Zoti është i madh) dhe kërcënonte se do t’i vriste policët.
Oficerët e policisë që bënin roje, e mbyllën derën e stacionit dhe hyrjen në oborrin e brendshëm të tij. I dyshuari u përpoq, por nuk arriti ta hapte me forcë. Në vendin e ngjarjes u thirrën pjesëtarët e forcave speciale, të cilët e vunë atë nën kontroll.
Hetuesit që e kontrolluan banesën e të dyshuarit, gjetën të vizatuar në mur një flamur të grupit militant Shteti Islamik.
“Der Spiegel”, duke iu referuar burimeve brenda policisë, raportoi se i pandehuri, Arlindo M, shtetas shqiptar, ishte në vëmendjen e policisë për krime të lidhura me tregti drogash.
Më 23 gusht, në qytetin perëndimor të Solingenit, një ekstremist i dyshuar nga Siria i vrau tre persona në një sulm me thikë.
Të enjten, më 5 shtator, një burrë u vra në një shkëmbim zjarri me oficerët e policisë pranë Konsullatës izraelite në Munih. Dyshohet se edhe ai ishte pjesëtar i rrymws radikale të islamit.
Prokuroria e Koblenzit njoftoi se nga hetimet e para dyshohet se i akuzuari ka pasur motive islamiste. Gjatë kontrollit të banesës së tij, policia gjeti se në një mur të banesës ishte vizatuar një flamur i organizatës terroriste “Shteti Islamik”.
(r.m.)