Kjo thënIe është përdorur nga Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Abraham Linkolni, në kohën e Luftës Civile midis jugut dhe veriut në Shtetet e Bashkuara, 1861-1865, dhe NGA të tjerë pas tij, por që rrënjën e ka në Bibël (Mark 3:25). Kuptimi i saj është se një komb i ndarë dhe i përçarë kundër vetëvetes nuk mund të qëndrojë, ashtu siç nuk mund të qëndrojë e të mbijetojë as edhe një familje kur anëtarët e saj nuk merren vesh me njëri-tjetrin.
Shikoni këto dy fotografi më poshtë dhe do të kuptoni menjëherë se për kë dhe për çka e kam fjalën.
Në Bled të Sllovenisë, Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, me Presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiq dhe me Kryeministrin e Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, (promovues të nismës “Ballkani i Hapur”) dhe në foton tjetër, Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, me Kryeminstrin e Kroacisë, Andrej Plenkoviq, të cilët, sipas medias, biseduan për anëtarësimin e Kosovës në BE dhe në NATO, anëtarësim për të cilin Kroacia u angazhua plotësisht për të ndihmuar Kosovën në këtë rrugë.
I shikoj këto foto dhe nuk u besoj syve të mi, jo sepse këto fotografi tregojnë ndonjë gjë të re në politikën ballkanase të dy dekadave të fundit, pasi këto foto e pasqyrojnë realitetin fatkeq, sidomos, të marrëdhënieve shqiptaro-shqiptare tash disa vite, por për zhgënjimin tim personal dhe besoj edhe të shumë shqiptarëve anembanë trojeve shqiptare dhe në diasporë, për marrëdhëniet në familjen e përbashkët shqiptare. I shikoj këto fotografi dhe e pyes veten se cila, në të vërtetë, është struktura e marrëdhënieve aktuale të Kombit shqiptar anembanë trojeve të veta. I shikoj dhe pyes se cilat janë shpresat e përbashkëta – në qoftë se ato ekzistojnë – dhe nëse ekziston besimi i ndërsjellë se Kombi shqiptar është dhe mbetet një popull i vetëm, i bashkuar, me lidhje të përhershme, në mbrojtje të interesave të përbashkëta kombëtare.
I shikoj këto foto dhe i them vetes: “Mos u zhgënje se kjo është një periudhë e përkohshme. Populli shqiptar do të dijë ta tejkalojë edhe këtë situatë absurde, të krijuar midis dy familjeve shqiptare – Shqipërisë dhe Kosovës – se shqiptarët e thjeshtë, nga të dyja anët e kufirit shqiptaro-shqiptar dhe jo politikanët e tyre do të jenë forca që bashkon dhe jo forca që ndan e përçan. Do të jetë një brez tjetër shqiptarësh që do të jetë i vetëdijshëm për detyrat dhe objektivat e parealizuara gjatë shekujve, për t’i arritur këto objektiva, sipas shprehjes së Linkolnit “me armiqësi kundër askujt, me mirësi ndaj të gjithëve…”, me bindjen se lufta për liri dhe demokraci nuk mund të shuhet kurrë dhe se përpjekjet për të drejta të barabarta dhe për një jetë më të mirë për të gjithë nuk do të ndalen asnjëherë dhe, në të njëjtën kohë, liria dhe demokracia – me gjithë të metat e saj – është gjithnjë shpresa më e mirë për të gjithë popujt anembane botës, përfshirë popujt e Ballkanit, sidomos për popullin shqiptar, megjithëse udhëheqësit aktualë që për interesa jo kombëtare në këtë proces flirtimesh të rrezikshme politike në kurriz të interesave kombëtare po luajnë me fatin e tyre duke rrezikuar dhe përçarë kështu shtëpinë e tyre të përbashkët.