Prishtinë, 21 korrik 2021 – Risto Jovanoviq, shtetas i Malit të Zi, është gjobitur me 6.700 euro, për “nxitje të urrejtjes dhe mostolerancës kombëtare dhe fetare, nga Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën.
Lajmin e ka konfirmuar avokatja e tij, Jovana Filipoviq.
Ajo ka deklaruar për Radion Evropa e Lirë se klienti i saj ka pranuar të paguajë gjobën, përndryshe do të dënohej me gjashtë muaj burgim.
Jovanoviqit i është ndaluar edhe hyrja në territorin e Kosovës për 5 vjet.
Duke arsyetuar vendimin, gjyqtarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Vlora Pacolli, ka thënë se Jovanoviq është dëgjuar duke thirrur “Vrite shiptarin”, “Ne do ta lajmë Kosovën me gjak”, “Kosova është Serbi”, etj.
Jovanoviq, para gjykatës, ka thënë se nuk është fajtor për akuzat me të cilat ngarkohet.
Jovanoviq është arrestuar më 28 qershor, në Gazimestan, 15 kilometra larg Prishtinës, gjatë kremtimit të Vidovdanit.
Sipas Policisë së Kosovës, i pandehuri kishte bërë thirrje nacionaliste dhe ka nxitur urrejtje.
Më 28 qershor, Kisha Ortodokse Serbe e feston në Gazimestan festën e Vidovdanit, në kujtim të viktimave të rënë në betejën e ushtrisë së popujve ballkanikë kundër ushtrisë otomane, të zhvilluar në Kosovë në vitin 1389. Historiografia serbe e ka shtrembëruar historinë, për të paraqitur Betejën e Kosovës si betejë të ushtrisë serbe kundër ushtrisë otomane.
(r.m.)