Nga Keze Kozeta Zylo
Kampionati Europian i futbollit bashkoi zemrat e shqiptarëve dhe ndezi atmosferën duke gjëmuar me brohorima nëpër sheshe, stadiume për kuqezinjtë kombëtarë që u ndeshën me kampionet e botës në futboll. Çfarë krenarie na kanë dhënë me lojën e tyre dinjitoze. U ndjemë kryelartë për vendin tonë, treguam kulturë në tribuna, në qytete dhe kudo.
Por në këtë shkrim nuk dua të merrem me emocionet e papërshkrueshme që na dhanë futbollistët tanë, por me një Ëngjëll që edhe pse nuk ishte fizikisht ai duartrokiste nga qielli.
E ka emrin Luan. Luanët nuk vdesin, thonë se jetojnë dhe pas vdekjes.
Luan Hoxha mjerisht humbi jetën tragjikisht në moshën 46 vjeçare, shtatorin e kaluar, 2023. E kush nuk u pikëllua për Luanin, ikjen e tij të parakohshme, ai ishte një zotëri, bamirës, punëtor i palodhur… Vëllain e tij Alketin, një flori djalë e kemi pasur në Shkollën Shqipe “Alba Life” dhe natyrisht dhimbja bëhet dhe më e madhe…
Luani e kishte ëndërr të madhe të shkonte në stadium në Gjermani që në momentin që kombëtarja u kualifikua për të hyrë në Kampionatin Europian 2024. Ai bashkë me Admirin djalin e xhaxhait, Alketin vëllai dhe dy shokë Eltoni dhe Gjergji vendosën të blenin biletat dhe të shkonin në Duseldorf, Gjermani për të parë ndeshjen Shqipëri-Spanjë.
Dhe ja erdhi dita e ndeshjes pas 9 muajsh, por Luani nuk mund të vinte dot, ai ka zënë vend në parajsë në qiell, se atje e ka vendin kjo racë bamirësish.
Atëhere Amiri, Alketi, Eltoni dhe Gjergji u frymëzuan që amanetin e Luanit ta çonin në vend, se siç thotë populli amanetin nuk e tret as dheu. Të katërt si vëllezërit e Luanit stamposën bluzat e kuq e zi me fytyrën ëngjëllore të Luanit ku shkruhej: In loving Memory, of beloved brother and friend, LUAN HOXHA.
Çfarë emocioni ndjeva kur i pashë bluzat të stamposura me një Ëngjëll që dukej sikur merrte pjesë dhe duartrokiste vëllezërit shqiptarë, kombëtaren që aq shumë e donte.
Të katërt fluturuan së bashku me Luanin në gjoks, bën tifozllëk, duartrokitje dhe për Ëngjëllin nga qielli që e dashuronte aq shumë sportin e futbollit, por më shumë ishte krenar që kombëtarja kuq e zi hyri në Kampionatin Europian.
Të katërt udhëtuan jo vetëm si tifozë të zjarrtë, por kishin me vete dhe një Luan, çka të kujton thënien si: Është më mirë të jesh një luan për një ditë sesa një dele gjithë jetën, që s’të kujton kush.
Luani ishte në stadium, ndonëse jo fizikisht, por ishte shpirti i tij që bëri dritë nga Parajsa dhe duartrokiti si nje spektator nga qielli, Kombëtaren tonë.
Ju lumtë djema që realizuat ëndrrën e një Ëngjëlli dhe natyrisht ju keni marrë bekimin e tij.
I përjetshëm kujtimi i Luanit!
24 Qershor, 2024
Staten Island, New York