Shkrimi i tetë i ciklit për 550 vjetorin e pritshëm të vdekjes së Skënderbeut
Nga Ylli Polovina
Fakti që pas njëqind e pesë vitesh pavarësim ende nuk kemi në dorë një foto të ngritjes së flamurit në Vlorë në pasditen e vonë të 28 nëntorit 1912 dhe për të mbuluar këtë mangësi shumë problematike i paraqesim opinionit publik dhe brezave të rinj një të bërë dymbëdhjetë muaj më vonë, nuk na lejon të krekosim luksin për ta shpërfillur skicën e 12 dhjetorit 1912, botuar në ballinë të “Das Interessante Blatt”, shtojcë e gazetës austriake “Wiener Illustrierte”.
Kjo është botuar në zemër të Evropës, në Vjenë, për plot 62 vite (1882-1944).
Për kohën që po marrim në shqyrtim e përjavshmja “Das Interessante Blat”, e botuar rregullisht çdo të dielë, qe një informative serioze. Me profil historik ajo tregonte mjaft vëmendje jo vetëm për ngjarjet më kryesore të ndodhura në kontinent, por edhe ato që zhvilloheshin në Ballkan. Për rrjedhojë, pjesë e një tradite lidhjeje dashamirësie shpirtërore, por edhe interesi politik të perandorisë austro-hungareze me shqiptarët, për këta kudo të ndodheshin në siujdhesë, “Das Interessante Blatt” i mbante sytë hapur.
Ne në vijim do të përpiqemi ta argumentojmë këtë ide: kjo shtojcë e “Wiener Illustrierte”, duke mbrojtur interesat e vendit të vet, deri sa ndodhi që në 1933 pushtetin e mori Adolf Hitleri, gjykohet burim vërtetësie dhe jo manipulimi historik. Ajo nuk merret po ashtu as me skandalistikë dhe as me falsifikim ndodhish apo emrash. Herë pas here manifeston pasion për ndonjë histori rozë.
Prandaj po e nisim këtë sprovë besueshmërie ndaj “Das Interessante Blatt” me vetë thelbin: skicën e ngritjes së flamurit tonë kombëtar në 28 nëntor 1912.
Në parim gjithkush mund të pyesë: përse nuk është foto? Po të qe e tillë kjo do të ishte një dëshmi e pakundërshtueshme dhe do ta shpëtonte historinë e Shqipërisë prej një grope të madhe kujtese. Do të kishim foton që prej më shumë se një shekulli po e kërkojmë.
Shënojmë se shfaqet si praktikë e përhershme e kësaj shtojce të “Wiener Illustrierte” përdorimi i gërshetuar i fotove dhe skicave jo vetëm për ballinën e “Das Interessante Blatt”, por edhe në brendësinë e saj prej katër faqesh. Po ashtu ju vëmë në dijeni se në kopertina pëlqehet, në vitet dhjetë të shekullit të shkuar, më tepër skica.
Psenë e kësaj do të përpiqemi ta shpjegojmë më pas.
Atëherë, në vijim të deshifrimit të pamjes së ballinës së numrit të 12 dhjetorit 1912 të shtojcës së gazetës së ilustruar vjeneze, ku është skicuar pamja e ngritjes së flamurit në Vlorë, po marrim për kampion vëzhgimi botimet e saj nga 3 tetori deri në 26 dhjetor 1912.
Në 3 tetor kopertina e “Das Interessante Blatt” ka një skicë dhe në skajin fundor të djathtë të saj, të vendosur një foto. Të dyja pasqyrojnë njëqind vjetorin e betejës së Borodinos në Rusi, përleshje e njohur mes trupave ruse dhe atyre të Napoleon Bonopartit.
Në 10 tetor shtojca sërish publikon një skicë me temë nga Lufta Ballkanike.
Botimi i një jave më pas, i 17 tetorit, paraqet një skicë prej po të njëjtës luftë, por ndodhur në Podgoricë të Malit të Zi. Në 24 tetor ballina e “Das Interessante Blatt” ka një skicë prej të njëjtës ngjarje rajonale: Luftës Ballkanike. Po ashtu edicioni i 31 tetorit përdor një skicë në përshkrimin e kësaj lufte.
Në 7 nëntor 1912 “Das Interessante Blatt” në kopertinë ka vendosur katër foto prej përleshjeve mes turqve dhe bullgarëve. Në të dielën e 14 nëntorit ajo përdor imazhin e një skice, duke përshkruar një marrshim të grekëve drejt Selanikut. Në 21 nëntor ballina paraqet një montazh me katër foto me pamje prej ushtrisë turke, pothuaj në gjendje shpartallimi.
Në numrin e 28 nëntorit, ditës së shpalljes së pavarësisë dhe ngritjes së flamurit tonë kombëtar në Vlorë, kopertina e “Das Interessante Blatt” paraqet një montazh të katër fotove, të gjitha me temën e një zhvillimi pushteti për fronin mbretëror në Berlin.
Botimi i 5 dhjetorit ka në kopertinë një skicë nga marrshimi i serbëve drejt jugut të Ballkanit, kurse ai i pas një jave, i 12 dhjetorit, paraqet, siç e dimë, skicën e ngritjes së flamurit në Vlorë.
Në 19 dhjetor 1912 ballina vendos gjashtë foto, portrete ambasadorësh, që marrin pjesë në një mbledhje ndërqeverish në Londër, me temë zgjidhjen e konfliktit të amatosur ballkanik e më tej.
Botimi i 27 dhjetorit të “Das Interessate Blatt” ka një foto të dy rojeve ushtarake serbe, tek rrinë mes një ngrice të egër, buzë lumit Drin
Nga sa shkruam më sipër për lexuesin është e qartë se për kopertinat e “Das Interessante Blatt” të muajve tetor, nëntor dhe dhjetor 1912 epërsia e skicës mbi foton është e shumëfishtë.
Në fund të fundit jo më kot ajo është shtojcë e një gazete të ilustruar. Vetëm me përdorimin e fotove ajo nuk do të konsiderohej e tillë. Vetë redaksia është mjaft korekte në shpjegimin poshtë pamjeve të ballinave kur është skicë dhe kur është foto.
Në rastin e parë nuk jepet asnjë shpjegim se prej kujt burimi është bërë vizatimi, siç edhe në rastin e fotove kush janë shkrepësit e aparatit.
Thjesht, si edhe për korespodentët në terren, nuk citohet asnjë emër i tyre. Fotografët janë anonimë jo vetëm në periudhën tremujore që shkëputëm për vëzhgim.
Me pak fjalë anonimë janë autorët e skicave dhe ata që kanë bërë fotot. Kjo doemos e vështirëson hetimin tonë, i cili ka të drejtën të synojë sa pamja e skicës së 12 dhjetorit të kopertinës së “Das interessante Blatt” ka përngjasim me të vërtetën. Provat pohuese apo mohuese të kësaj çështjeje domosdoshmërisht do të na çonin tek verifikimi nëse në pasditen e 28 nëntorit 1912 është bërë, të paktën, një foto dhe kjo ka mundur të bjerë në duart e redaksisë së “Das Interessante Blatt”.
Si?
Deri në Vjenë udhëtim duhen disa ditë me anijet austriake të udhëtarëve “Lloyd”, mjetin atë kohë më të shpejtë dhe më të sigurt, që nga Vlora pamja e fiksuar të rrugëtonte nëpër det dhe më pas nëpërmjet tokës për në kryeqytetin e njohur të perandorisë së shumë angazhuar për pavarësimin sa më të shpejtë të Shqipërisë dhe kështu ndalur revanshin e armiqve të saj, serbëve.
Sepse ndoshta udhëtimi qe më tepër se katër-pesë ditor pamja e skicuar nuk u bë gati për botim në numrin e parë pas atij të 28 nëntorit, pra për në edicionin e 5 dhjetorit, por u desh edhe një javë tjetër.
Veç lajmi tepër i rëndësishëm për Vjenën zyrtare që u dha në tërë ballinën e edicionit të 12 dhjetorit, nuk mund të priste kaq gjatë, ca më tepër që në 28 nëntor serbët kishin përfshirë nën pushtimin e tyre tërë korridorin e Shqipërisë së Mesme, sidomos Elbasanin, dhe patën dalë të ngazëllyer në portin e Durrësit.
I kishin prerë e çarë trojet e shqiptarëve mes për mes.
Por këtu nis edhe ajo histori modeste që kemi patur fat ta zbulojmë për herë të parë. Për autorin e këtyre rradhëve kjo u mundësua nëpërmjet këmbënguljes për këtë temë si edhe gjetjes në internet, nëpërmjet kërkimit nonstop, po ashtu edhe shfletimit të imtë të të gjithë koleksionit të “Das Interessante Blatt”.
E reja e paditur më parë është kjo: shtojca “Das Interessante Blatt” e ka dhënë lajmin e pavarësimit të shtetit të ri shqiptar si njoftim të datës të edicionit të 28 nëntor 1912.
Si shkruan ajo konkretisht dhe me se ilustrohet njoftimi i fortë për opinionin publik evropian, do ta shtjellojmë shkrimin e ardhshëm, ku për çdo hollësi përkthimi nga origjinalja, pra prej një teksti me drejtshkrimin e vjetër të gjuhës gjermane, do të na ndihmojë pedagogu i saj në Qendrën e Gjuhëve të Huaja në Akademinë Ushtarake të Republikës, autori i mjaft librave, Gaqi Karakashi.
(Vijon)
Ylli Polovina
Tiranë, më 6 nëntor 2017