Nga Merita B. McCormack*
Mëngjesi i së hënës të fundit të janarit na mblodhi në Rrugën e Pavarësisë, pranë ndërtesës së Kapitolit në Uashington DC.
Megjithëse moti ishte i ftohtë dhe era të “thante”, ligjbërësit shqiptarë, deputetë të Partisë Demokratike të Shqipërisë, zonja Dhurata Çupi, zoti Gazmend Bardhi dhe zoti Everest Dedja, gazetar shqiptar, të porsardhur nga Europa, mbërritën në kohën e caktuar, përpara ndërtesës së bukur Thomas Xheferson, ndërtesa më e vizituar e Bibliotekës së Kongresit Amerikan në Uashington DC.
Megjithëse të hënave ky institucion nuk hapet për vizitorët, ligjbërësit shqiptarë dhe gazetari u mirëpritën si miq specialë nga Divizioni European brenda së cilit gjendet edhe “Albanian Desk” (Tavolina ose Seksioni i pavarur i Shqipes) . Shkruaj i pavarur pasi gjuha shqipe ka pas qenë klasifikuar nën umbrellën e gjuhëve sllavike më përpara e tashmë është direkt nën Divizionin European.
Vizitorët , që gjenden zyrtarisht ,në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Mëngjesin Kombëtar Amerikan të Lutjeve, patën mundësinë e vizitës së koleksionit të referencave për veprat në gjuhën shqipe (kjo përmbledhje përfaqësohet me materiale nga çdo vend ku flitet shqip).
Dr. Nevila Pahumi, specialistja e referencave për gjuhën shqipe dhe gjuhën moderne greke ne Bibliotekë, jo vetëm që i mirëpriti vizitorët, u bëri një prezantim të detajuar për seksionin shqip, u tregoi disa botime të vjetra e të reja shqiptare, por edhe organizoi për ta vizita edhe në seksione të tjera e në ndërtesa të tjera të Bibliotekës. Për shembull në Bibliotekën e Ligjeve, deputetet u pritën nga drejtuesit e asaj biblioteke dhe u njohën me një mini ekspozitë të literaturës ligjore në shqip që mban kjo bibliotekë. Ata gjithashtu dëgjuan një prezantim që ishte përgatitur posaçërisht për ta.
Vizitorët Çupi , Bardhi dhe Dedja u njohën me pasuritë e kësaj biblioteke, mësuan për koleksionet, për proceset e përzgjedhjes së materialeve , shijuan artin e bukur në ambjentet e ndryshme dhe bënë pyetje të ndryshme sipas fushave përkatëse profesionale, interesit artistik e historic të gjithësecilit . Vizitorët nga Shqipëria ishin të mire edukuar me historinë e bibliotekës dhe bisedat ridhnin lirshëm dhe bukur.
Unë pata kënaqësinë që të takohesha me vizitorët së pari si shqiptaro amerikane në DC që ka kontribuar në krijimin e tavolinës shqiptare në vitin 2008 dhe në kapacitetin e anëtares së Këshillit të Vatrës. E falenderoj Dr. Pahumin që më bëri edhe mua pjesë të kësaj vizite tepër të veçantë.
Ishte vërtet bukur të takohesha me vizitorët që janë ligjbërës por më së pari që janë njerëz të gjakut tim, që vizitojnë atdheun tim të dytë por edhe që janë të interesuar të komunikojnë e të shkëmbejnë mendime me diasporën shqiptare këtu në SHBA.
Këtë, ne e vlerësojmë shumë.
Ndërkohë, për shkak të pamundësive kohore nuk patëm mundësinë e një takimi me komunitetin e gjerë për të diskutuar problemet e shqetësimet për vendin tonë të origjinës, mesazhi që parlamentarët përcjellin është se ata janë të gatshëm e të interesuar për zërin dhe mendimet e diasporës.
I urojmë deputetëve suksese e punë të mbarë, bashkim të opozitës e suksese demokracisë së brishtë shqiptare.
*Autorja jeton në Uashington DC dhe punon si Drejtoreshë e Suksesit Studentor në një Universitet Privat. Kontributin vullnetar e jep për Diasporën dhe në fushën e letërsisë e publicistikës . Merita është autore e disa librave dhe kontribon rregullisht në shtypin shqiptar në Diasporë. Ajo shërben si koordinatore për komunitetin shqiptar në Dioqezën e Arlingtonit dhe është Anëtare e Këshillit të Përgjithshëm të Federatës pan-shqiptare të Amerikës “VATRA”. Në vitin 2022, me propozim të Vatrës, Merita është dekoruar nga Presidenti Shqiptar me titullin “Kalores i Urdhrit të Flamurit”.