Një takim i papritur me kryetarin e një bashkie në Amerikë

“ZYRA IME ËSHTË E HAPUR PËR TY NË ÇDO KOHË”

Nga Fuat Memelli

Te kjo fotografi, jam me kryetarin e bashkisë së qytetit të Maldenit, afër Bostonit, zotin Geri Christenson. Kisha shkuar te sekretarja e tij për t’i dorëzuar një gazetë “Illyria” që del për shqiptarët e Amerikës (tok me gazetën “Dielli”), e cila kishte shkrimin tim për një veprimtari të zhvilluar në atë qytet.
Po mbyllja çantën dhe u nisa për të ikur, kur doli sekretarja e më tha:”Kryetari ka dëshirë t’ju takojë. Mund të shkoni”.
U habita pak nga nga dëshira që kish shprehur kryetari i bashkisë për të takuar një gazetar emigrant. Trokita dhe hyra. Ai u ngrit e ardhi drejt meje dhe pasi u përshëndetëm, kërkoi të ulem pranë karikes së tij. I shpjegova që jam gazetar shqiptar dhe që kam punuar për shumë vite në këtë fushë. I tregova që vazhdoj shkollën e emigrantëve që ishte në qytetin e tij, i fola për njerzit që kam aë Amerikë, për familjet shqiptare që banonin në atë qytet, etj.
Pas disa minutash bisede, thirri fotografin e bashkisë dhe bëmë foton që shikoni, e cila u përgatit për 5 minuta e ma dha me dedikim. E falenderova për pritjen si dhe për fotografinë. Kur do ndaheshim, më tha : “Dera ime është e hapur për ty në çdo kohë”. Më bëri përshtypje sjellja dhe thjeshtësia e këtij njeriu.
E përmenda këtë fakt, për të bërë ndonjë krahasim me Shqipërinë. Tek ne në shumë raste, është vështirë të takosh pushtetarët. Shumë prej tyre kur ulen në kariken e pushtetit, i duket vetja sikur janë në majë të Olimpit. Para votimeve, bëhen më popullorë. Po të jesh i partisë së tyre, mund ta hapin më kollaj derën. Për sjelljen e pushtetarëve tanë, mund të shkëmbejmë ndonjë mendim.