Një tjetër vrasje masive në Serbi, vriten 8 e plagosen 14 persona, të gjithë të rinj

Beograd, 5 maj 2023 – Një tjetër vrasje masive ka ndodhur në Serbi të enjten rreth mesnatës.

Ministria e Punëve të Brendshme e Serbisë njoftoi se së paku tetë persona janë vrarë dhe 14 të tjerë janë plagosur në një sulm me armë automatike në tri fshatra të komunës së Mlladenovcit, 50 kilometra nga Beogradi.

Autori i sulmit ka qëlluar nga automjeti me të cilin udhëtonte në grupe të qytetarëve, pa dallim, në fshatrat Dubona, Mallo Orashje dhe Shepshin, pak para mesnatës.

Viktimat dhe të plagosurit janë të rinj, pothuajse të gjithë të lindur as vitit 2000.

Pas sulmit autori është larguar nga vendi i ngjarjes dhe është përpjekur të mosbjerë në duart e policisë, e cila është vënë menjëherë në kërkim të tij. Policia ka arritur ta arrestojë të premten në mëngjes, afër qytetit të Kragujevcit, rreth 60 kilometra nga vendi i krimit.

Policia ka bërë të ditur se autori është një 21 vjeçar, me inicialet U.B. motive dhe rrethanat e sulmit mbeten ende të panjohura.

 “Policia po vazhdon punën për zbardhjen e të gjitha fakteve dhe rrethanave të kësaj ngjarjeje”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Sipas mediave lokale, sulmuesi ka qëlluar ndaj grupeve të qytetarëve, pas një debati që ka pasur me një oficer të policisë, në një park të fshatit Dubona, për motive të panjohura. Oficeri me të cilin ka pasur debat dhe motra e tij janë në mesin e viktimave të sulmit të parë, në Dubona.

Kjo ngjarje e rëndë në Serbi vjen vetëm një ditë pasi një nxënës 13 vjeçar vrau tetë shokë të klasës e një roje të shkollës dhe plagosi gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësuese të tij, në Beograd.

Serbia është e mbushur me armë të mbetura nga luftërat e viteve 1990. Qytetarët serbë janë armatosur masivisht dhe janë rekrutuar ose janë inkurajuar të marrin pjesë në luftërat e regjimit të Sllobodan Millosheviqit në Kroaci, në Bosnjë e Hercegovinë dhe në Kosovë.

Qeveria e Serbisë paralajmnëroi të enjten një rishikim të gjerë të lejeve për posedim të armëve nga qytetarëët. Ajo paralajmëroi edhe një moratorium dyvjeçar për dhënien e lejeve të reja për mbajtjen e armëve të shkurtra të zjarrit.

(r.m.)