Nga Keze Kozeta Zylo
Edhe pse jemi në Maj lulesh, kemi një stinë të nxehtë sharjesh, me pesticide helmesh që nxjerrin politikanët nga goja si para zgjedhjeve dhe pas zgjedhjeve në Mëmëdheun tonë të shumëvuajtur. Duket sikur nga qielli vjen një trëndafil urimi shumë i rrallë për mos thënë i vetmi nga një ish kryetar socialist të Bashkisë Memaliaj, që uron kolegun e tij demokrat i cili fitoi Bashkinë e Memaliaj atje në Jugun tim të Shqipërisë. Ai është z. Gjolek Guci ish Kryetar i Bashkisë Memaliaj zgjedhur nga socialistët në mandatin e kaluar dhe që e mbajti me nder dhe profesionalizëm postin e tij si kryetar. Në këtë mandat vendin e tij e zuri z. Albert Malaj ish ushtarak nga koalicioni “Bashkë Fitojmë”.
Unë nuk jam e çuditur nga z. Gjolek Guci për urimin e tij të sjellshëm që i bën kandidatit të fitores, pasi kur e takuam Verën e kaluar në zyrën e tij në Memaliaj në Bashki gjatë intervistës për TV “Alba Life”, New York tha: Unë jam këtu për të ndihmuar jo vetëm votuesit e mi, por gjithë popullin e Memaliaj, pasi kjo Bashki ku unë kam nderin të jem në krye i përket gjithë memaljotëve dhe zonave përreth.
Në statusin e tij midis të tjerash thotë: “Udhëtimi ynë, pavarësisht vullnetit dhe dëshirës së ekipit ka qenë i vështirë, me një Bashki me problematika të mëdha, me pak fonde dhe investime. Pavarësisht rezultatit, ndihem krenar për mbarëvajtjen e zgjedhjeve. Ju garantoj se deri në ditën e fundit të mandatit tim, ekipi ynë do të vazhdoj punën me të njëjtin intensitet dhe vendosmëri.
I uroj suksese kryebashkiakut të zgjedhur dhe i kërkoj që të jap maksimumin për të mirën e komunitetit”. Gjolek Guci
Natyrshëm e çmoj së tepërmi këtë urim që ka mirësinë e të sjellurit dhe ashtu siç duhet të jetë si për humbesin dhe fituesin. Nuk është turp të humbasësh ne një“betejë” politike, vetëm njeri do të fitojë, turp është kur nuk e pranon humbjen nëse është reale, dhe fillon shpifjet e pacipa, akuzat çnjerëore duke rënë në moçalin e shushunjave thithëse…
Të gjithë shqiptarët që kanë etikën e të sjellurit kur i lexojnë shkrimet me fyerje, sharje që përmbajnë një fjalor nga më vulgarët dhe të pacipë vetëvetiu mendojnë se këtë “liri” iu ka dhënë urrejtja, cinizmi dhe egoizimi i tyre i pashoq, të cilët kanë ëndërruar të bëhen diçka, por nuk ia kanë arritur kurrë qëllimit të tyre, ose mendojnë se do t’ja arrijnë veçse duke përgojuar dhe shpifur pafundësisht.
Ndonese jetojmë larg do të ndalem në disa punë të z. Guci që i preka dhe i pashë me sytë e mi. Rruga nga Memaliaj deri në Marricaj nuk ka qenë kurrë e shtruar, por një rrugë me shumë probleme për fshatrat dhe tejet e vështirë. Ekipi i tij e përfundoi me sukses dhe po vazhdonte drejt Arrëzës së Madhe, Qafës së famshme të Kiçokut. Kishte projekte të bënte rrugën e Buzit etj… Punët e mira gjithmonë flasin vetë.
Jetojmë në kohra të çuditshme, në frymen acide dhe në urrejtjen e pashoq që bashkon njësoj njerëzish!
Eshte mjerim qe disa grupe akoma kanë megallomaninë anadollake për të poshtëruar dhe përbuzur kandidatin, veçanërisht në kohë zgjedhjesh, pasi e kanë më të lehtë për ta venë përfund kandidatin, gjithmonë sipas llogjikës së tyre aq të cekët.
Edhe pse lexuesit i kuptojnë mjaft mirë dredhitë dhe shpifjet që mund të bëhen në forma nga më të ndryshmet karshi njerëzve që japin kontribute qoftë dhe modeste të krijohet përshtypja se ligësia e disa shkruesve qofshin dhe gjysmëanalfabetë, (na ruajtë Zoti prej tyre) kanë një grykësi të çuditshme për të dhunuar, e thënë shkurt kanë një mendësi të mbrapshtë për të bërë atentat psikologjik… Po përse ka qenë dhe vazhdon kjo mendësi abuzuese edhe sot e kësaj dite karshi njerëzve të ndryshëm apo që dhunuesve ju duket se kanë arritur diçka për të cilën kam bindjen e patjetërsueshme se do të vazhdojë gjatë, biles aq gjatë sa dhe ne të ekzistojmë në faqe të dheut… Thjesht mendësi dhe grykësi ballkanike!
Jemi në shekullin e 21 dhe disa shkrues akoma kanë megallomaninë anadollake për të poshtëruar dhe përbuzur kandidatin, veçanërisht gjininë femërore, pasi si seksi më i dobët dhe më delikat që jemi, e kanë më të lehtë për ta venë përfund, gjithmonë sipas llogjikës së tyre aq të cekët.
Dhe ky është një mjerim i madh, është një mjerim që e ka zënë për fyti dhe është përdredhur si kulpër në trupin e kulturës shqiptare aq të lashtë, paçka se midis tyre mund te ketë dhe ndonjë shoqe që ju mban ison çjerrëse dhe e bën fjalën e bukur kufomë kundërmonjëse… Në mjedise të ndryshme ku kolegët e punës i kemi nga të gjitha etnitë, shpesh diskutohen këto dukuri tejet negative dhe secila prej nesh sjellë përvoja jetësore apo trajtime që u bëhet këtyre problemeve jetike nga vendet që vimë. Megjithatë pohojnë amerikanët, është e vërtetë që ka shumë dhunime dhe këtu, por ato kurrë nuk duhen lënë të marrin frymë. Mikja amerikane më kujton thënien e Presidentit Lyndon B. Johnson i cili ka thënë: “Në qofte se e lejon dhunuesin të vijë në kopshtin tënd, ditën tjetër ai do të vijë pranë ballkonit dhe pas kësaj do të përdhunojë gruan pranë krevatit”…
Por mendoj që dhe mosmarrja me mjeranët që vetëm harxhojnë kohën lart e poshtë duke shpifur dhe duke shpërndarë fjalë të turpshme vetëvetiu sjell mëshirën, e cila është arma më e mirë për të mos u penguar në punët që kemi përpara…pasi sic thotë Chris Colfer se ata janë si letra zmerile që mund të të lëndojë vazhdimisht, por në fund ajo përfundon e padobishme…“When people hurt you over and over, think of them like sandpaper. They may scratch and hurt you a bit, but in the end, you end up polished and they end up useless.”
Kështu që letra e padobishme detyrimisht hidhet në kosh, ndërsa nje trendafil urimi i një kryebashkiaku socialist për kandidatin demokrat të fitores mbetet pergjithmonë.
20 Maj, 2023
Staten Island, New York