Kiev,8 gusht 2022 – Një gjykatë në Ukrainë ka dënuar një ushtar rus nga Siberia me 10 vjet burgim për granatimin e një ndërtese banimi në qytetin verior të Ukrainës, Chernihiv, në fund të shkurtit.
Gjykata e këtij qyteti dënoi më 8 gusht rreshterin Mikhail Kulikov pasi ai u deklarua fajtor për gjuajtjen me një top tanku në një ndërtesë të lartë banimi, më 26 shkurt, dy ditë pasi Rusia filloi pushtimin e saj të të paprovokuar të Ukrainës.
Kulikov tha në gjyq se kishte ndjekur urdhrin e mbikëqyrësit të tij, i cili duke bërtitur tha se në ndërtesë ishte një person me një granatahedhës, që më vonë doli të ishte e pavërtetë. Granatimet nuk shkaktuan viktima, por shkatërruan dy apartamente private.
“Dua t’u them të gjithë atyre që u prekën nga ajo që bëra, si moralisht ashtu edhe fizikisht, se më vjen keq. Jam penduar për atë që kam bërë që nga fillimi e deri më sot. Më vjen shumë keq. Më falni. Dua vetëm të shkoj në shtëpi për familjen time. Faleminderit për gjithçka”, tha ai para gjykatës.
Burime në qytetin e lindjes së Kulikovit, Zarinsk në rajonin e Altai Krai i thanë Radios Evropa e Lirë se 31 vjeçari Kulikov shërbeu në një njësi tankesh në qytetin Aleisk.
Më herët në maj, një tjetër ushtar rus nga Siberia, Vadim Shishimarin, u dënua me burgim të përjetshëm pasi qëlloi për vdekje një civil në rajonin verilindor të Ukrainës, Sumy. Ky dënim më vonë u zëvendësua me 15 vjet burg.
Gjithashtu në maj, një gjykatë në qytetin verilindor të Ukrainës, Kotelva, dënoi dy ushtarë rusë, Aleksandr Ivanov dhe Aleksandr Bobykin, me 11 vjet e gjysmë burg secili.
Ata u shpallën fajtorë për granatimin dhe shkatërrimin e disa ndërtesave të banimit në qytetin Kozacha Lopan dhe një shkollë në qytetin Veterinarne në rajonin lindor të Harkiv më 24 shkurt, ditën e parë të pushtimit rus të Ukrainës.
(REL)