Një vajzë shqiptare në Inaugurimin e Presidentit Obama

Një përvojë e jashtëzakonshme për shqiptaren Merlin Tushe që udhëtoi nga Bronx-i në Washington, e ftuar si pjesë e të rinjve më të dalluar në brezin e saj në studime akademike dhe punë profesionale

 

Nga Adi Ashiku

Jo vetëm për ne shqiptarët, por edhe për amerikanët pjesëmarrja në Ceremoninë e Betimit të Presidentit të SHBA përbën një eveniment të rëndësishëm e shumë sensacional. Për të marrë pjesë në këtë ditë Inaugurimi ishte ftuar edhe e reja shqiptare Merlin Tushe.
Gjatë bisedës me miq e shokë të saj, mjekë e nëpunës të ndryshëm në spitalin Montefiore në New York, ku ajo punon, mori jo vetëm urimet e tyre por edhe në shenjë dashamirësie dëgjoi t’i thonin “ndihemi xhelozë” që je ftuar në këtë eveniment të rrallë edhe për vetë amerikanët. Merlini u ftua në këtë ceremoni si një e re që ka patur rezultate të shkëlqyera në studimet e saj gjatë viteve të universitetit.
Ajo nuk është e para, sigurisht as e fundit ndër shqiptarë që kanë marrë pjesë e do të marrin në këto festime madhështore, por fati ia solli edhe asaj në derë që këtë ditë të ishte prezente mes personaliteteve të larta të Amerikës, si politikanë, studentë të shkëlqyer, artistë, gazetarë etj.
Hyrje ekskluzive në këtë Inaugurim i ishte rezervuar vetëm studentëve dhe të diplomuarve që falë rezultateve të tyre të larta dhe arritjeve te shkëlqyera akademike ishin rradhitur në 5%-shin e më të mirëve në Amerikë e mbarë botën. Mjerë për vendin tonë për largimin e trurit e “Bravo” për SHBA, që dinë të vlerësojnë trurin e kombit, duke i dhënë atë që i takon.
Shprehja e njohur amerikane “Nuk ka rëndësi nga vjen, por ku shkon e çfarë bën në të mirë të vetvetes e mbarë qytetërimit”, i përshtatet shumë edhe Merlinit, e të gjithë të rinjve që kanë treguar veten se adaptimi në tokën e re është një obligim që duhet realizuar me sukses.
Ishte një pjesëmarrje me kritere selektive, prandaj edhe administrata amerikane ka si parim thithjen e individit me nivel të lartë intelektual dhe vlerësojnë specifikën e tyre, studjojnë elementët nëpër universitete, kolegje, shkolla të mesme e fillore, e më pas përzgjedhin më të mirin/mirën e të mirëve, për t’i vlerësuar në të ardhmen.
Merlini me aftësitë e saj edukative jo vetëm që është shquar gjithmonë si një nxënëse e studente shumë e mirë, por është dalluar edhe si një femër me virtyte të larta në familje, shoqëri e institucionin ku punon, të cilët herë pas here e kanë vlerësuar me Çmime e Mirënjohje të ndryshme.
Ajo është edhe një muzikante e talentuar. Me violinën e saj luan në Orkestrën Simfonike të Universitetit Albert Einstein në New York, ku kanë patur rast edhe shumë shqiptarë të ndjekin koncertet ku ajo merr pjesë.
Në ditën e Inaugurimit të Presidentit Obama, (ceremonia e 57-të përsa i përket rradhës së historisë amerikane), Merlini pati rast të qëndrojë pranë me shumë artistë, njerëz të njohur të kinematografisë, apo fushave të ndryshme të shkencës e teknikës amerikane. Duke u ndodhur pranë tyre e ndjente veten vërtetë të privilegjuar që ishte pjesë e asaj shoqërie të vlerësuar e ftuar për raste vërtetë madhore.
Dita e betimit në mandatin e dytë të Presidentit Obama përkoi me 21 Janarin, që është dita e Martin Luther King Jr., liderit të shquar të Lëvizjes për të Drejtat Civile afrikano – amerikane. Pas Ceremonisë së Betimit e parakalimit tradicional të Presidentit Obama me Zonjën e Parë Michelle Obama, të ftuarit e grupit ku Merlini bënte pjesë, sipas një intenerari të përcaktuar u angazhuan në vizita në muze, në disa konferenca zyrtare e seminare politikë, ku midis të tjerëve referuan ish Governatori i shtetit të Floridës Jeb Bush, Reverend Jesse L. Jackson Sr. etj, si dhe ndoqën një mbrëmje Gala.
Moti ishte me diell por i ftohtë, e megjithatë për të ndjekur inaugurimin e Presidentit të 44 të SHBA, kishin ardhur njerëz jo vetëm nga të gjithë anët e Amerikës, por edhe nga shtete të ndryshme të botës, e megjithatë kudo vihej re rregulli e qetësia publike. Forcat e sigurisë ishin në nivelin më të lartë të tyre. Edhe vullnetarë të shumtë ishin angazhuar për mbarëvajtjen e Inaugurimit presidencial, deri tek nxënësit e shkollave të mesme. Kudo kishte kontrolle e postoblloqe, e askush nuk mund të hynte për të parë paradën në Pennsylvania Avenue të Washington, D.C. pa kaluar nëpër “skanerin” policor.
Pjesëmarrja e Merlinit në këtë ceremoni do të mbetet një eksperiencë e paharruar, si dhe realizim i vërtetë i ëndrrës amerikane.