Një jetë një ëndërr dhe “tetëdhjetë vjet tregime”
Nga Shqipe Malushi
“Tani, që i kam kaluar të shtatëdhjetat qëmoti, kur kaloj pranë përmendores së Skënderbeut ne Shkup, aty te parku i lagjes të fëmijërisë sime, përballë shitores ku për here të pare bleva njeqind kilogram miell dhe aq shum e gezova familjen, me kalon një nostalgji. Shikoj djathtas e majtas, kam malle per zhurmën e kazanxhijve, për furrën e bukës ku printnim në rend me triska në dorë, për embëltoren e Despotit që mbante në mure ca piktura naive, për puntorinë ku prodhoheshin ‘gazozat’, për biçikletën e Gjynselit që ia ‘vidhnim’ une dhe Ismija e mësoheshim ta ngisnim në park. Kam mallë për çdo gjë dhe çdokënd që nuk ështe më!”
Ajtene Pllana
Dihet që libri gjithmonë ka qenë dhe mbetet miku ynë më i mire, më i sinqertë, dhe më ngushlues që na meson, udhëheqë dhe drejton ne jetë.
Për ne qe jetojmë në diasporë çdo tregim që e dëgjojmë apo e lexojmë nga vendi ynë e përforcon ndjenjen e dashurisë per vendin dhe identitetin tone.
Pata fatin ta lexoj librin “Tetëdhjetë Vjet Tregime” nga Ajten Pllana, redaktuar nga Flaka Surroi,botuar nga shtëpia botuese KOHA ne Prishtine, 2018. E lexova këtë liber duke qeshur e duke qarë, e lexova duke u ngulfatur ne kujtimet e Ajtenes, momente qe ringjallen edhe botën time per te cilen kam mall, ah sa shumë kam mall.
Ishte një befasi e veçantë që nga faqja e parë,
perplot kujtime e tregime të rradhitura që nga femijërija e deri ne pleqëri. Ky libër më ngjalli kohën e prindërve tanë,një botë krejtësisht tjetër nga e sotmja,pothuajse e harruar dhe,tashmë, në zhdukje e sipër,e balsamosur vetëm në kujtimet tona. Botë me shumë vlera shoqërore, ku besa ende ekzistonte, dashuria për tjetrin ishte natyrale, ku besimi dhe respekti ishin pjesë e të qenurit. Ajten Pllana, mësuese me profesion, i gërshetoi momentetet e jetes së saj si margaritarë të radhitur në qafën e nuses, kujtime që reflektojnë historinë tonë, vuajtjet e popullit gjatë etapave të ndryshme, varferinë,shtypjen, frikën, por edhe shpresen e fuqinë e njerëzve te asaj kohe.
“Ishim të ulur në çardakun e shtëpisë ne pesë fëmijët me nënën tone. Ishte ditë e bukur vere. Në tërë lagjen kishte dritë, vetëm mbi shtëpinë tone qielli ishte I errët. Nuk dukej gje, pos pesë yjeve të vegjel që shndrisnin fare pak dhe një yll pak më i madh ndodhej në mesin e tyre. E ato qëndronin larte në qiell, mbi kulmin e shtëpise sonë. Përnjëherë një yll më i madh dhe me plot shkëlqim erdhi me shpejtësi të madhe nga ana lindore e shtëpise, u fut në mesin e pesë yjeve të vegjel, u ndal pranë yllit pak më të madh dhe mbi shtëpinë tone u bë dritë.”
Ky liber eshtë nje vals me kujtime, kolazh i momenteve nga jeta e përditshme e zonjes Ajtene Pllana, momente të qenurit, të esencës së shpirtit njerëzor, dhe ngritjes përtej sfidave. Libër ky që na sjellë në një periudhë të mbushur me kuriozitet, pafajësi feminore, qiltërsi, dashuri e respekt të pafund për njerëzit, si dhe e shpalosë tmerrin e varfërise, çështjes politike,pasigurise dhe ekzistences në botën shqiptare.
Identititei dhe çështja kombëtare e shqipëtarëve në Maqedoni fillojnë të shpalosen në kujtimet e Ajten Pllanes që nga faqja e pare. Burgosja e babait, mungesa e shkollave shqipe, kufizimi i edukimit të vajzave, presioni politik, diskriminimi, dhe uria: “Kur u lexua vendimi I gjyqit me të cilin babai u dënua me dy vjetë,ne u tronditem! Nëna nuk qau,porse u zbeh ne fytyrë,na afroi rreth vetes dhe dolem para derës së gjykates.Pritnim që të dilnin të dënuarit.” Në kujtimet e saj ka vetëm dashuri, mirëkuptim dhe përkrahje; ajo e qëndise si trëndafil dallimin mes kultures shqiptare dhe asaj maqedonase. Ca fjale të imponuara nga gjuha maqedonase jane bukur të spjeguara dhe të sqaruara në çdo tregim.
Rrëfimet janë të mbushura me emra të nxënsëve të saj, me ndjenja ngulfatëse të dashurisë për çdo nxënës si dhe arritjet e tyre. Këto kujtime e ringjallin një botë që, edhe përkundër vështirsive, ishte tepër e bukur pë të gjithë ata që e përjetuan.
Një shembull prekës në një nga tregimet pas tërmetit në Shkup kur,tashmë, i ndjeri Idris Ajeti, akademiku yne i njohur, bën një telefonatë tek familja Pllana për të parë se a kanë shpëtuar, Vajza e Ajtenes, Teuta katërvjeqare pergjigjet në telefon duke thëne: “ Axha Idris, ai zoti i Shkupit shumë i keq, i prishi të gjitha shtepitë në Shkup.”
Detaje të mahnitshme kur Ajtenja shikon nga dritarja ne stacion të trenit mu pas termetit, ku çdo gjë ishte rrënuar, e shef një grua me fustan me fundin e shqepur, me atlete burrash në këmbë, duke shtyrë një karrocë me një bebe fare të vogël.Duke shprehur keqardhje për gruan me femijë pa ditur se ku shkonte ajo, pernjëhë, Ajteni kthjellet: “ Ismija! ishte motra ime, ishte fustani im i shqepur, dhe atletet e vëllaut që gjendet në Nish. Ishte motra ime që falë prindërve tanë shpëtoj nga vdekja e sigurtë, e mbetur nën rrënojat e shtepise…” në mënyrë koncize e shprehë në thëllsi dhëmbjen e humbjes, pasigurinë e lëvizjes dhe burgimin e vëllait.
Një tjetër tregim prekës dhe një errupcion i ndjenjave të dhëmbjes për humbjen e Viganit dhe Agronit, nxënësit e Ajtenes, vjen në pershkrimin e funeralit të tyre për një nënë që humb dy djem në të njejten ditë, duke qëndruar në mes dy kufomave. Një moment tragjik i kalitur në kujtesë që reflekton dhëmbjen.
Libri ka edhe shumë momente te bukura: “Babushi yne ishte njeri shumë modern. I pashëm, elegant, me shumë shije, me manire të një xhentlemeni. Kur u martua, në vitin 1930, Shkupi kishte pasur vetëm tetë taksi, e babushi ynë i kishte porositur të tetë taksitë që nga Presheva ta mernin nusen, nënën time.”
Në tregimin e Kujt Është Kosova, Ajtenja e shprehë ndjenjen e saj amnore ndaj te birit të saj Dritonit, që gjatë demostratave të studentëve me 1981, në Prishtine, ku dëgjoheshin brohoritjet “Kosova Republikë” duke luajtur me nje allti loder me uje, Dritoni shfaqet me plot gezim duke thene: “Nana e laga…” “Ke e lage?” “E laga Republikën!” thot ai me plot mburje.
Ky vals me kujtime perfundon me tregimet e vajzave Teutes, Vjollces dhe Artes, duke i mbajtur gjallë këto momente plot jetë, me gëzime e hidhërime, ndarje e bashkime. Një jetê e jetuar me domethënie, duke i respektuar momentet e të gjithë pjesëmarrësve të asaj epoke dhe duke i ruajtur në kujtesën e saj si një margaritar i rrallë.
Në këto memoare, Ajtenja e ngritë të kaluarën ne piedestal duke mos lejuar që pluhuri i harresës ti mbulojë të gjithë ato personazhe që kanë kontribuar shumë në çështjen kombëtare duke u flijuar me sakrifica të mëdha. Liber ky më një gjuhë të pastërt, më thjeshtësinë e të shprehurit dhe thellësinë e të përjetuarit.
Une i uroj Ajtenes jetë te gjatë dhe të shëndritshme duke ju falendëruar për këtë vepër shumë të mrekullueshme, prekëse, të ndjeshme, të bukur dhe shumë të dashur, me shpresë se do vazhdoj të na sjellë edhe vepra tjera në të ardhmën.
Si perfundim thot Ajtenja: “Dhe keshtu na kaluan vitet më të bukura të femijërisë, me pasiguri, me frikë, me skamje porse me krenari.”