Nga Fuat Memelli
BOSTON – 26 mars, 2022 – Këtë të diel në një nga sallat e Katedrales së Shën Gjergjit në Boston, u organizua takimi i Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro- Amerikanë. Objekt i takimit ishte promovimi i librit poetik “Albumi” të Fan Nolit, botuar për herë të parë në vitin 1946 e që përmblidhte një periudhë poetike 40 vjeçare, 1906-1946. Ky libër ishte botuar në Shqipëri dhe Kosovë e ja tani u botua edhe për shqiptarët që jetojnë në Amerikë e më gjerë. Libri u botua nën kujdesin e Shoqatës së Shkrimtarëve Shqiptaro-Amerikanë, është si ai i vitit 1948.
Një punë të veçantë për këtë botim kanë bërë Neka Doko, përgjegjëse e Bibliotekës Noliane pranë Kishës së “Shën Gjergjit”, studjuesja e letërsisë, Arjeta Ferlushkaj Kotrri si dhe Adnan Mehmeti, president i shoqatës së shkrimtarëve.
Moderatori i veprimtarisë, kryetar i Shoqatës së krijuesve, Mëhill Velaj, ia dha në fillim fjalën At Theofan Kojës, i cili shërben në këtë kishë e më pas kryetarit të Federatës Pan Shqiptare “ Vatra”, Elmi Berisha, i cili kishte ardhur nga New Yorku me një grup vatranësh. “ Vatra” nderoi me ish dëshmi “Mirënjohje” ish kancelarin e Kishës së Shën Gjergjit, At Artur Liolinin, vazhdues i Nolit në këtë kishë. Arturi ka shërbyer me përkushtim për 50 vjet me radhë. Dëshmia iu dorëzua djalit të At Arturit, Evans Liolin.
Në pjesën e parë të veprimtarisë foli edhe Neka Doko, përgjegjëse e Bibliotekës Noliane , e cila theksoi se “kjo vepër u katalogua ndërtë parat nga dorëshkrimet e shumta të Nolit.” Në fjalën e tij presidenti i shoqatës së shkrimtarëve, Adnan Mehmeti midis të tjerash, theksoi: ”Është koha të rizgjojmë Nolin,të lexojmë dhe të studjojmë më shumë për letërsinë shqipe këndej Atlantikut. Noli ishte dhe do mbetet shkollë e vërtetë jo vetëm e përkthimit që ariti majat më të larta të botës me përkthimet e Shekspirit, por edhe shkollë e poezisë sonë. Ribotimi i vëllimit “Albumi”, pas kaq vitesh në tokën që e mirëpriti dhe mbajti eshtrat e tij, pasuron bibliotekat e lexuesve shqiptaro-amerikanë.” Shkrimtarët i përshëndeti edhe editori i gazetës “Dielli”, Sokol Paja. Një atmosferë të bukur krijuan vëllezrit Ndoc dhe Geg Delia me këngën kushtuar Fan Nolit dhe Faik Konicës. Studjuesja e letërsisë, Arjeta Ferlushkaj Kotrri, theksoi se “ ky ribotim është i njëjtë me atë origjinal me atë të botuar më 1948, me ndonjë ndryshim fare të vogël.” Emocion te pjesëmarrësit ngjalli recitimi i disa poezive të Nolit nga Valbona Lavdari, Vjollca Gjocaj e Julia Gjika.
Në pjesën e dytë të takimit, e kishin fjalën anëtarë të shoqatës së shkrimtarëve si Namik Selmani, Thanas Gjika, Rafaela Prifti, etj, të cilët u ndalën në aspekte të veçanta të veprës “Albumi” të Fan Nolit.
Pjesëmarrësit i përshëndeti edhe presidenti i Nderit i Shoqatës “Skënderbeu”, Bujar Hasani.
Në fund u shtrua një drekë nga Kisha e “ Shën Gjergjit”.
Nga shitja e librit” Albumi ”të Shtëpisë Botuese” Adriatic Press”, gjysma e të ardhurave iu dorëzua Bibliotekës Noliane.

















