Një vështrim i thellë e kritik i sistemit arsimor në Kosovë

Xhavit REXHAJ

(Reçension për librin e Azem Azemit “Refleksione arsimore 2”)

Libri i Azem Azemit “Refleksione arsimore 2” fillon me një konstatim: Kështu nuk qeveriset me arsimin në Kosovë. Kjo qasje përcillet në mënyrë konsistente nëpër tërë librin që, në të vërtetë, është vazhdim i librit të tij “Refleksione Arsimore 1”.

Qëndrimi i shprehur ndaj politikave dhe veprimeve në sektorin e arsimit, vlerësimet e aspekteve konkrete, zgjidhjet e ofruara, madje toni dhe fjalori i përdorur, të gjitha janë shumë të drejtpërdrejta dhe aspak diplomatike. Domethënë gjuha neutrale nuk ka vend në këtë libër. Këtë narracion direkt dhe stil të rreptë të komunikimit e aplikon autori kur flet për organogramin e MASHTI-t, për mësimin tërëditor, për projektin e Bankës Botërore, për Agjencinë e Kosovës për Akreditim, për tekstet mësimore, për inspektimin e të tjera.

Dikush do të thoshte se Azemi është tepër kritik, tepër i rreptë, i mllefosur, madje edhe do t’i sugjeronte të jetë më i butë, më neutral, më ‘objektiv’, madje dhe të shihte pak më shumë anët e mira, zhvillimin, progresin, punën dhe arritjet. 

Ky qëndrimi i dytë më i butë do të ishte krejt në rregull sikur të mos ishin dy gjëra: arsimi është në gjendje kritike dhe arsimi ka të bëjë me fëmijët tanë dhe me fatin e këtij vendi, në planin afatgjatë. Pasojat e gabimeve të para 15 viteve po i shohim në rezultatet e dobëta në testin PISA dhe në konkurrueshmërinë e njerëzve e të ndërmarrjeve kosovare në vend dhe jashtë vendit, sot. Shikoni eksportet tona. Mendoj se raporti rreth 10 me 1 në mes të importeve dhe eksporteve tregon për gjendjen e arsimit tonë dhe për konkurrueshmërinë tonë me botën.

Gjendja është e rënduar në arsim! Prandaj, çdo zbukurim, zbutje e neutralizim është vetëmashtrim dhe ndërtim i iluzioneve. A na duhen iluzionet, pyes unë, apo na duhet e vërteta? Me këtë pyetje në mend duhet lexuar edhe libri. Duhet shtuar se autori trajton disa aspekte dhe dimensione kryesore të sistemit arsimor në Kosovë dhe jep zgjidhje për të gjitha aspektet e trajtuara këtu. Për të siguruar sistem unik arsimor thotë se duhet zbatuar ligji me vendosmëri dhe jo të bëhet zbatim selektiv i tij. Për të rregulluar problemin e funksionimit të MASHT-it, duhet hartuar një organogram që i përshtatet nevojave dhe misionit të sistemit arsimor dhe jo analizave të njerëzve që nuk e kuptojnë në thelb arsimin kosovar. Për Agjencinë e Akreditimit propozon një sërë masash konkrete, përfshirë edhe një ligj të veçantë për akreditim dhe për ngritjen e kapaciteteve institucionale dhe njerëzore. Për projektin e Bankës Botërore kërkon auditim dhe vlerësim të përgjegjësisë për dështimin e tij dhe i rendit të gjitha problemet dhe fajtorët, sipas gjykimit të tij, bazuar në dëshmi për zhvillimet kryesore rreth këtij projekti.

Personalisht konsideroj se këtu është fajtor sa zbatimi i dobët nga MASHT, po aq edhe vetë natyra e projektit të Bankës Botërore, prandaj them me bindje se Kosova nuk duhet të vazhdojë me shpenzimin e kredive të tilla në të ardhmen.

Në vijim do të përmend disa aspekte kryesore që i kam vërejtur gjatë leximit të librit të Zt. Azem Azemi.

E para, autori është i fokusuar në funksionimin, ruajtjen dhe zhvillimin e sistemit arsimor në Kosovë. Derisa disa njerëz e shohin fëmijën kur e trajtojnë shkollimin në Kosovë, të tjerët e shohin mësuesin, të tretët i shohin kushtet e punës dhe ndërtesat, autori i këtij libri është i preokupuar me sistemin arsimor dhe me qëndrueshmërinë e tij. Mund të thuhet se autori është i preokupuar me shtet-formimin e shtet-ndërtimin nëpërmjet ndërtimit të sistemit arsimor.

E dyta, libri shërben si sinjalizues (Ang. Wistleblower). Dihet tashmë se sinjalizuesit janë persona që e ngrenë alarmin për tendencat dhe fenomenet negative në një organizatë ose në një sektor publik. Domethënë, e alarmojnë komunitetin ose shoqërinë për dukuri që mund të dëmtojnë ose e dëmtojnë interesin e përgjithshëm. Problemi me këtë rast sinjalizimi është se shoqëria dhe institucionet kosovare e kanë humbur ndjeshmërinë ndaj sinjalizimeve dhe sinjalizuese. Shoqëria jonë dhe institucionet aktivizohen vetëm kur ka, larg qoftë, tragjedi, skandale, thyerje të mëdha. Dua të besoj se një ditë dikush nga parlamenti kosovar ta lexojë këtë libër dhe të fillojë një dialog të mirëfilltë për gjendjen katastrofale të arsimit në Kosovë. Rastet e mëparshme të një debati për arsimin (hiq debatin kur ishte përjashtuar Agjencia e Akreditimit nga rrjeti i agjencive evropiane të akreditimit), nuk ishin tjetër pos tregues të nivelit tejet të ulët të Kuvendit të Kosovës dhe të paaftësisë së tij e të partive politike që të merren me çështje të rëndësishme nacionale.

E treta, autori është mirë i informuar jo vetëm për procese e tema me të cilat është marrë edhe ai, por edhe si rezultat i leximit dhe hulumtimit me një dozë pothuajse fanatizmi për të depërtuar tek e vërteta dhe tek identifikimi i shkaqeve reale të dukurive nësistemin arsimor. Personalisht nuk kam pritur një informim të këtillë të autorit lidhur me ngjarjet që lidheshin me Agjencinë e Akreditimit, ku kam qenë pjesëmarrës edhe unë. Kur e kam lexuar këtë kapitull kam mbetur i habitur me sasinë e

informacionit të siguruar nga autori për analizën e gjendjes në këtë institucion  dhelidhur me  këtë institucion. Domethënë, në këtë libër autori ka dalë nga zona e vet e rehatisë, e cila do të lidhej me inspektoratin arsimor, kurrikulat, planifikimin, tekstet shkollore e të tjera gjëra me të cilat është marrë drejtpërsëdrejti, gjatë punës së tij të gjatë në Ministrinë e Arsimit. Në këtë kontekst, më duhet të theksoj se në këtë libër hasim elementet e fuqishme të një tranformimi të autorit nga një dëshmitar i dorës së parë dhe një profesionit i mllefosur nga mënyra e trajtimit të arsimit, në një analist dhe kritik të thellë të fenomeneve arsimore në Kosovë.

E katërta, gjatë leximit të kujdesshëm të librit shihet se autori është entuziast. Si rezultat i entuziazmit dhe dëshirës për ta parë sistemin arsimor më mirë, aty-këtu në libër vërehet ende trajtimi emocional i dukurive që, për mendimin tim, nuk e ndihmojnë thellësinë e trajtimit të fenomeneve dhe cilësinë e zgjidhjeve të ofruara. Këto momente ngrenë krye sidomos në rastet kur insiston në ruajtjen e aktualitetit të librit, siç është, për shembull, vlerësimi i shkurtër i programit të ri arsimor të qeverisë. Konsideroj se paanshmëria, thellësia e retrospektiva i shkojnë për shtati më mirë autorit, siç është rasti me Agjencinë, sigurimin e një sistemi unik arsimor, projektin e Bankës Botërore e të tjera.

Në fund, them se librin duhet ta lexojnë ata që janë të preokupuar me gjendjen e sistemit arsimor në Kosovë, ata që kërkojnë një qasje analitike dhe kritike, ata që mendojnë se në këtë sistem gjërat nuk funksionojnë si duhet dhe se duhet bërë diçka si edhe ata që edhe pas kaq kohësh mbesin entuziastë të arsimit në Kosovë.