Një veturë me targa të Beogradit digjet në pjesën veriore të Mitrovicës

Prishtinë, 10 shtator 2023 – Një veturë me targa të Serbisë është djegur në orët e para të ditës së diel në Lagjen e Boshnjakëve, në pjesën veriore të Mitrovicës. Nga flakët e  zjarrit është dëmtuar edhe një pjesë e shtëpisë aty pranë.

Lajmi është konfirmuar nga drejtori Rajonal i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani.

Ai ka bërë të dituar se vetura që është djegur ka qenë me targa të Beogradit (BG).

Elshani ka thënë se dyshimet e para shpien në “zjarrvënie” tëë qëëllimshme dhe se ekipet kompetente të policisë kanë nisur hetimet për ndriçimin e rastit dhe zbulimin e kapjen e autorit apo autorëve të këtij akti.

Në Mitrovicën Veriore, si edhe në tri komunat tjera në pjesën veriore të Kosovës të banuara me shumicë serbe janë djegur disa automjete me targa “RKS” (Republika e Kosovës), si akt i kundërshtimit të vendimit të Qeverisë së Kosovës për zëvendësimin e targave ilegale të lëshuara në Serbi me targa legale të Kosovës.

Kjo është hera e parë që në këtë pjesë të Kosovës digjet një automhet me targa të Serbisë.

(r..m.)