Nga Ruben Avxhiu
Për herë të parë në historinë e OKB-së një udhëheqës shteti do ta mbajë fjalimin e tij në Asamblenë e Përgjithshme, nga larg, nëpërmjet videos.
Ky do të jetë Presidenti i Ukrainës, Zelenski, vendi i të cilit është në luftë, për shkak të pushtimit nga Rusia.
Rusia e kundërshtoi të drejtën e Zelenskit për të folur me video – një absurditet – por gjithësesi e drejta e saj.
Çështja u hodh në votë, ku sigurisht shumica masive votoi që Zelensky ta mbajë fjalimin. (161 vende PRO, 7 vende KUNDËR, dhe 19 ABSTENIME)
Si gjithmonë është me interes kur i sheh këto vota. Ajo që bie në sy sidomos është që India ka votuar në favor të Presidentit të Ukrainës. Kjo vjen menjëherë pas takimit mes Presidentit Modi dhe Vladimir Putinit, ku udhëheqësi indian këmbënguli publikisht që Rusia t’i japë fund luftës në Ukrainë.
Pozicioni i Indisë ka rëndësi sepse globalistët në Moskë kanë gati më shumë se një dekadë që punojnë për një sistem paralel ndërkombëtar, që do të ketë në zemër Kinën, Indinë, Rusinë, Brazilin, dhe Afrikën e Jugut.
Në fakt, asnjë nga këto vende nuk votoi kundër Zelenskit, duke preferuar abstenimin.
Ky votim është ngjarja e parë që vjen pas Samitit të Samarkandit, ku Vladimir Putini u mundua të rigjallëronte lidhjet e tij diplomatike dhe të sigurisë me aleatët gjeografikë, sidomos të Azisë Qendrore.
Është domethënëse, që asnjë prej këtyre vendeve, të cilat deri vonë shiheshin si satelitë të Moskës në planin e sigurisë, nuk ka votuar kundër Zelenskit.
Bie në sy mungesa në votim e Armenisë, një nga vendet më proruse, tërësisht e zhgënjyer nga përpjekja e Putinit për t’u afruar me Azerbajxhanin dhe Turqinë pikërisht kur forcat azerbajxhanase bënë një ndërhyrje të shpejtë dhe të suksesshme ushtarake, thellë në Armeni, duke vrarë një numër të madh ushtarësh armenë të kapur tërësisht të papërgatitur.
Vota në favor të Zelenskit nga Kazakistani, vendi më i madh ish-sovietik, në Azinë Qendrore, mungesa në votim e Kirgizstanit, Taxhikistanit, Turkmenistanit etj dëshmon edhe më tej rrënimin e mbizotërimit rus në këtë rajon që prej fillimit të luftës në Ukrainë.
Ajo që u pa qartë në Samitin e lartpërmendur ishte rritja e jashtëzakonshme e peshës së Kinës, që këto vende shpresojnë se do të zëvendësojë Rusinë në rolin kryesor të garantimit të sigurisë në rajon.
Turqia, e cila gjithashtu votoi kundër Rusisë megjithë akrobacinë diplomatike të Putinit për ta joshur Erdoganin në marrëveshje me interes të madh ekonomik dyplaësh, ka rritur shumë rëndësinë e saj në Azinë Qendrore.
Kjo në OKB nuk ishte ndonjë votë themelore. Rusia duhej ta kishte injoruar sepse një fjalim më shumë nga Zelenski nuk do të ndryshojë asgjë thelbësore. Vota vetëm sa vuri në pah zhgënjimin në rritje ndaj Rusisë dhe rënien e ndikimit të saj në botë.
Mënyra se si votuan vendet gjithashtu nuk do të kishte ndonjë rëndësi nëse nuk do të vinte menjëherë pas këtij samiti ku Presidenti Putin nuk mundi ta fshihte dobësimin e figurës së tij publike. Një nga fenomenet e samitit që shkaktoi humor në internet e rrjetet sociale ishte sjellja e udhëheqësve të vendeve të Azisë Qendrore që bënë garë se kush do ta linte më shumë kohë duke pritur Putinin.
Presidenti rus është famëkeq për vonesat e tij në takimet me udhëheqësit e huaj. Thuhet se i linte qëllimisht që ta prisnin për të krijuar epërsi psikologjike, një metodë që sipas disave vjen nga puna e tij në KGB. Tani që Putin ka nevojë t’u tregojë rusëve se bota po e mbështet, pavarësisht nga bllokada e Perëndimit, disa udhëheqës, duke filluar nga Erdogani kanë filluar të “marrin hak”, duke e lënë këta Putinin që të presë.
Fotografitë e udhëheqësve të samitit, të ulur në një sallon pritjeje, me Erdoganin në krye duke treguar historia, kurse Putini anash në divan, në një pozicion i kërrusur me duart mes gjunjëve është komentuar si një përmbysje e madhe raporteve mes udhëheqësve të këtyre vendeve.
Dy arsye e kanë dobësuar rolin rus. E para, vendet e Azisë Qendrore kanë vënë re shumë ngjashmërira me Ukrainën dhe Bjellorusinë. Njëra është pushtuar zyrtarisht nga Rusia dhe tjetra praktikisht. Si ato, edhe vendet e Azisë Qendrore kanë rajone të gjera rusofolëse dhe një histori varësie nga Moska. Edhe ato, si Ukraina, po shohin për alternativa të tjera. Edhe ato kanë parë t’u injorohet identiteti etnik nga analistë e politikanë në Moskë. Ata duan që Rusia të humbasë në Ukrainë që të mos përdorë më sulme të tilla aneksuese ose për ndryshim regjimi.
E dyta, në javën e fundit, Rusia humbi brenda dy-tre ditësh një territor që i ishte dashur disa muaj që ta pushtonte në Ukrainë. Më shumë se gjashtë mijë kilometra katrorë, sipërfaqe të cilën forcat mercenare ruse e lëshuan në mënyrë shumë të parregullt dhe të nxituar. Shenjë e një morali të ulët dhe mungesë përgatitjeje e mbështetjeje të mjaftueshme nga prapavija. Një vend agresor e pushtues nuk e ka të lehtë të gëzojë respekt, por është shumë më keq, nëse je edhe agresor edhe humbës. Rusia duhet më paku të dëshmojë se po fiton në terren, përndryshe shumë nga këto vende “aleate” në Azinë Qendore por edhe më tej, do të distancohen edhe më shumë nga Moska.
Putini i premtoi Modit të Indisë, përpara kamerave, se Rusia është e interesuar ta mbyllë luftën sa më shpejt. Por gjatë një konference shtypi me gazetarë, tha se Rusia nuk shqetësohej nga humbjet dhe se është ende shpejt për të vlerësuar situatën. Ai tha se nuk kishte arsye të nxitonin.
Në të dy rastet mund të mos ketë thënë të vërtetën. Më e mundshme është që Putini do që të shikojë se si do të shkojë dimri që po vjen. Vërtet do të jetë më i vetmuar se kurrë, por Ukraina dhe mbarë Europa do të kalojnë një dimër të paparë, për nga mungesa e energjisë për t’u ngrohur, nga rritja stratosferike e çmimeve, nga pakënaqësitë politike e protesta ndaj qeverive dhe orientimit ndërkombëtar.
Partitë gjoja nacionaliste dhe antiglobaliste që për ironi thjesht përsërisin si papagalli pikëpamjet e Moskës janë duke u forcuar nëpër Europë. Putini nuk ka nevojë për një shumicë. Ka nevojë vetëm për aq mbështetje sa të sigurojë paralizim të vendimeve që kërkojnë unanimitet në NATO dhe në Bashkimin Europian.
Në planin afatgjatë dëmi që Putini po i bën Rusisë është i pallogaritshëm. Ai ia ka humbur përgjithmonë klientin më të madh e më të sigurtë të prodhimeve të tij energjetike. Vërtet Europa do të ngrijë së ftohti këtë dimër, por asnjëherë më nuk do të lejojë që të varet nga Rusia në fushën e tregëtisë. Rusia nuk do të jetë më kurrë një partner ekskluziv për asnjë lloj tregëtie.
Rusët e kanë injoruar gjatë Kinën, të fiksuar me rivalitetin e tyre me Perëndimin, por tani marrëdhëniet me Pekinin janë parësore. Pas fillimit të pushtimit të Ukrainës, u mendua madje se Kina do të shpëtonte Rusinë nga bllokada europiane, por Kina është treguar e zgjuar. Retorika e saj ka qenë denoncuese ndaj Perëndimit dhe në mbështetje të Rusisë. Mirëpo, në praktikë, ajo ka pranuar të blejë gazin dhe naftën ruse vetëm me çmim më të ulët sesa paguanin europianët, nuk ka nxituar të zëvendësojë prodhimet europiane në Rusi, mbase duke parë pak interes në fuqinë e rënë blerëse të një pjese të madhe të Rusisë, dhe bankat e saj nuk kanë treguar interes për të dhënë kredi, duke zbuluar se Kina ka më pak besim te suksesi i Rusisë, sesa duket nga deklaratat e saj publike. Kina është dorështrënguar edhe me armatime e mjete ushtarake që Rusia mund të ketë nëvojë në këtë kohë.
Të gjitha këto zhvillime do të kishin pak rëndësi për lexuesin shqiptar, sikur Rusia të mos e mbante Ballkanin në listën e rajoneve ku mund të krijojë trazirë për të shpërqendruar Perëndimin. Ajo mbetet garancia kryesore e Serbisë kundër anëtarësimit të Kosovës në OKB. Në Nish ndodhet edhe e vetmja bazë ruse në Ballkan, planet për të cilën janë ende të paqarta. Ndonëse mendohet se Bosnja, jo Kosova, mund të bëhet pika nevralgjike ku Rusia do të tentojë t’i krijojë dhimbje koke Perëndimit, shqiptarët kanë arsye që t’i ndjekin zhvillimet me vëmendje dhe shqetësim.
Dimri do të jetë i egër edhe për shqiptarët në Ballkan. Rritja e çmimeve rrezikon të sjellë krizë të rëndë ekonomike, deri edhe vdekje thjesht nga pamjaftushmëria e ngrohjes.
Një humbje e Rusisë në Ukrainë mund të sjellë më pak oreks për të provuar ndërhyrje ushtarake diku tjetër. Aq më pak në Ballkan.
Serbia, e cila edhe kësaj here votoi kundër Rusisë në OKB, ndodhet nën presionin e BE-së për një marrëveshje me Kosovën dhe është më e interesuar për momentin të blejë kapital politik në Bruksel dhe Washington, sesa të merret me Moskën. Në fakt, Vuçiqi po bën çmos që të afrohet me Kinën, pikërisht sepse edhe në Beograd besimi te Rusia ka rënë. Nuk e di sa e vënë re apo u bën përshtypje kjo lëvizje në Moskë, por është një nga treguesit e çmimit të madh e të pallogjikshëm që Rusia ka vendosur që të paguajë për t’ia marrë një territor Ukrainës. Një territor që të them të drejtën i bënte më shumë punë brenda në Ukrainë sesa jashtë saj. Mirëpo, kështu është puna me diktatorët. Më mirë dëmtojnë veten, vendin e tyre, fqinjët dhe gjithë botën, sesa të pranojnë një gabim e të korrigjojnë një vendim të marrë pa e menduar mirë, dikur, në vitin tashmë të largët, 2014.