Njerëzit si Fahrije Hoti e ndërtojnë, e çojnë përpara vendin

Sadik Elshani

Reflektim

Ka kohë që kam dëgjuar për historinë e dhimbshme të Fahrije Hotit, një grua nga Krusha e Madhe që përjetoi një tragjedi familjare nga forcat barbare serbe, të cilat ia vranë bashkëshortin e saj, ende i pagjetur. Në këtë masakër të tmerrshme forcat serbe vranë e masakruar 241 persona, kryesisht burra e djemë të rinj. Për këtë masakër është shkruar mjaft, prandaj nuk do të zgjatemi më tepër në këtë shkrim, por do të përqëndrohemi në figurën e zonjës Fahrije Hoti, një grua tipike shqiptare, e cila nuk u dorëzua para sfidave, vështirësive të jetës. Edhe pse ajo është viktimë, me forcën e karakterit të saj, këmbënguljen për të ngadhnjyer mbi të keqen, ajo nuk e lejoi veten që të viktimizohet, të përkulet para dallgëve të jetës, të ligësohet, të bie në depresion. Nuk priti që qeveria të kujdeset, të bëjë diçka për të dhe familjen e saj. Iu ppërvesh punës, së pari duke u kujdesur për bletët, por kur kjo nuk mjaftonte, atëherë ajo filloi të përgatiste ajvar, turshi, duke i shitur këto prodhime nëpër qytetet e Kosovës. Fal punës dhe përkushtimit të saj, ajo e ka zgjeruar biznesin e saj, ka punësuar 50 – 100 gra të veja dhe ka krijuar një kooperativë të suksesshme, ku shumë prodhues i sjellin perimet e tyre të kontraktuara më parë. 

Prodhimet e Kooperativës Krusha në supermarketet e ShBA-ve

Prodhimet e saj nuk shiten vetëm në tregun Kosovar, por edhe në shumë vende të botës. Para disa ditësh shkova në një supermarket në Philadelphia (qytet ku unë jetoj) ku herë pas here blej artikuj ushqimorë, dhe aty i pashë edhe prodhimet e kooperativës së Fahrijes, domate turshi. Në raste të tilla nuk ke sesi të mos ndihesh krenar për prodhimet që sjellin erën e vendlindjes dhe mundin e djersën e bashkëkombësve të tu. Po, ndoshta ky është një prodhim i thjeshtë, por megjthatë është një prodhim që është prodhuar në Kosovë dhe ka dëpërtuar në tregun amerikan. Prodhime të tilla di të bëjë Fahrija dhe pse të mos e shfrytëzojë, aftësinë, mjeshtërinë e saj. Bujqësia dhe industria ushqimore janë degë të rëndësishme të ekonomisë. Më kujtohet një artikull me titull: “Tehnologija kiselog zelja” (“Teknologjia e lakrave turshi”) në të përditshmen e Zagrebit, “Vjesnik”, në mesin e viteve të 80-ta të shekullit të kaluar. Ka kaluar tani një kohë e gjatë, por ende më kujtohet thelbi i atij shkrimi: Nëse ne prodhojmë lakra turshi të cilësisë së lartë, atëherë,pse të mos ia shesim këtë teknologji Evropës, pse të mos i plasojmë këto prodhime në tregun evropian – këtë dimë, këtë të bëjmë.

Shpirti sipërmarrës i qytetarit

Të shpresojmë se ndërmarrja e Fahrije Hotit të zgjerohet e të bëhet një kombinat i suksesshëm e prodhimtar. Shumë kompani gjigante amerikane (Macrosoft, Apple, Aldrich e shumë të tjera) janë krijuar nëpër bodrume, garazha. Jnë krijuar nga njerëz këmbëngulës, të përkushtuar e vizionarë. E tillë është edhe Fahrija, një grua me arsim fillor, por që është mjaft e artkuluar, flet qart e me një fjalor të pasur. Nga një viktimë është bërë frymëzim, duke u bërë një forcë e zhvillimit të fshatit të saj. Ka shumë njerëz që mund të bëjnë diçka, por u mungon vetëbesimi, këmbëngulja e përkushtimi. Presin që dikush të bëjë diçka për ta. Shembulli i Fahrijes t’u shërbejë edhe të tjerëve si model suksesi, Ka edhe shumë shembuj të tjerë suksesi anembanë Kosovës. Zoti Avdullah Krasniqi ka krijuar një fermë bio të tipit zvicëran në fshatin malor, Maqitevë,  të Suharekës/Therandës. Ai ka punuar si punëtor i thjeshtë në një fermë zvicërane dhe aty e ka fituar përvojën e tij, aty e ka parë se një gjë të tillë mund ta bëjë në fshatin e tij, në tokën e tij, ku ai do të jetë pronari që punon për veten dhe familjen e tij dhe jo për dikë tjetër. Ai Zvicrën e ka sjell në Kosovë, Janë këta njerëz të përkushtuar me shpirt sipërmarrës (entrepreneurial spirit) që e zhvillojnë e çojnë përpara vendin, prijnë dhe nuk presin asgjë nga dikush tjetër. Qeveria i ka detyrimet e veta: mbrojtjen e vendit, sigurimin e rendit publik, infrastrukturës, energjisë elektrike, krijimin e një klime të volitshme për investime, etj. Por, as në vendet më të zhvilluara qeveria nuk mund t’i bëjë të gjitha, edhe qytetarët i kanë detyrimet, përgjegjësitë e veta. Më 8 mars të këtij viti, 2021, u përurua objekti i ri modern i Kooperativës Bujqësore Krusha, i ndërtuar me ndihmën e BE-së, bizneseve kosovare dhe vetë grave të Krushës. Ky objekt është i pajisur me makineri e teknologji të re dhe ka hapësirë të mjaftueshme për kapacitetet prodhuese të kësaj ndërmarrjeje.

Filmi “Hive” (“Zgjoi”) pasqyrim artistik i historisë së Fahrijes

Historia e Fahrijes, kjo histori e dhimbjes, vuajtjeve, por edhe qëndresës, mbijetesës e ngadhnjimit mbi të keqen është bërë edhe subjekt i filmit të suksesshëm, “Zgjoi” (“Hive”). Wshtë një rrëfim që i bën nder Kosovës dhe gruas qëndrestare shqiptare.Gjer më tani nuk e kam patur mundësinë që ta shoh këtë film, por i kam shikuar disa fragmente në YouTube. Fahrija përveç vështirësive të jetës të shkaktuar nga barbaria serbe, ajo ballafaqohet edhe me paragjykimet e kundërshtimet e shoqërisë patriarkale kosovare. Burrat jo vetëm që nuk e ndihmojnë atë, por bëjnë çdo përpjekje për ta penguar në çuarjen përpara të ndërmarrjes së saj. Ata mendojnë se gruaja duhet të ulet në ulësen e pasagjerit (udhëtarit) dhe jo atë të shoferit. Wshtë një skenë e këtij filmi ku Fahrija shpërndanë prodhimet e veta me makinë, ndërsa burrat ulur rreth tavolinës në një kafene e shikojnë atë me mëri, urrejtje. Kur i shikon ata burra ashtu, që nuk e çajnë fare kokën për asgjë, në mend menjëherë të vijnë vargjet e Çajupit: “Burrat nën hije, lozën, kuvendojnë”. Emri i filmit nuk lidhet vetëm me faktin se Fahrija merret edhe me bletari, por ai ka edhe simbolikën e vet, lidhet me ndërmarrjen, kooperativën e Fahrijes, që është shndërruar në një zgjua të vërtetë ku duart e vyeshme të grave krushjane përgatisin prodhime cilësore, ajvar e turshi. Për momentin filmi është duke rrugëtuar drejt “Oskarit” dhe të shpresojmë se do ta fitojë këtë çmim prestigjioz, sepse historia e Fahrijes është një rrëhim i kësaj kategorie, këtij niveli: ngerthenë dallgët, sfidat, dramat, tragjditë dhe bukurinë e jetës.

Suksese e punë të mbarë!

Philadelphia, më 29 dhjetor, 2021

Sadik Elshani është doktor i shkencave dhe veprimtar i bashkësisë shqiptaro – amerikane.