Njëzet viktima të përmbytjeve në Belgjikë

Bruksel, 16 korrik 2021 – Qeveria e Belgjikës ka thënë se numri i të vdekurve nga vërshimet e pashembullta në këtë shtet, ka shkuar në 20.

Ministrja e Brendshme belge, Annelies Verlinden, ka thënë të premten se ekipet e shpëtimit janë duke tentuar të identifikojnë edhe 20 persona të zhdukur.

Kryeministri belg, Alexander De Croo, ka thënë se Belgjika do ta shpallë të martën ditë zie, për të reflektuar “për këto humbje të mëdha njerëzish”.

“Ky do të jetë edhe moment për të treguar solidaritet, afërsi dhe unitet”.

De Croo, ka thënë se organizimet për të shënuar një festë kombëtare më 21 korrik, do të anulohen, pasi kjo datë vjen në kohën kur “shumë njerëz do të jenë duke u përballur me situatë tejet të vështirë”.

Zyrtarë gjermanë kanë raportuar deri më tani 106 vdekje nga vërshimet që kanë prekur edhe disa rajone të Gjermanisë.

(REL)