Njihuni me të drejtat tuaja: kur agjentët e ICE-it ju vijnë në shtëpi

Çështje të Emigracionit: Nga Avokati Kieran Both

Avokati Kieran Both

Të gjithë ata që jetojnë në Shtetet e Bashkuara, përfshirë dhe emigrantët pa dokumenta, gëzojnë disa të drejta të cilat ua garanton Kushtetuta e Shteteve të Bashkuara. Nëse nuk keni dokumenta dhe agjentë të emigracionit (ICE) ju trokasin në derë, duhet të dini që gëzoni të drejtat në vijim:

  • Nuk ju detyron askush të hapni derën: Nuk ju detyron askush të hapni derën apo të lejoni agjentët e emigracionit t’ju hynë në shtëpi, përveç rastit kur kanë një urdhër të vlefshëm bastisjeje të firmosur nga gjykatësi. 
  • Një urdhër deportimi nga ICE-i nuk është e njëjta gjë me një urdhër bastisjeje. Nëse ky është i vetmi dokument që kanë, me ligj ata nuk mund t’ju futen në shtëpi, përveçse kur ju vetë bini dakort me gojë që t’i lejoni të futen. 
  • Nëse agjentët e ICE-it ju thonë që kanë një urdhër bastisjeje të firmosur nga gjykatësi, kërkoni që ta fusin poshtë derës ose ta mbajnë të hapur tek dritarja në mënyrë që të mund ta shihni.
  • Nëse urdhri nuk mban emrin dhe adresën tuaj të saktë si dhe nuk është firmosur nga gjykatësi, nuk jeni të detyruar të hapni derën ose t’i lejoni t’ju futen në shtëpi.
  • Nëse në një moment të caktuar vendosni të flisni me agjentët në fjalë, mund ta bëni pa qenë nevoja të hapni derën. Mund të flisni përmes derës së mbyllur ose mund të dilni vetë jashtë duke mbyllur derën.
  • Keni të drejtë të mos flisni. Nuk është e nevojshme të flisni me punonjësit e emigracionit ose t’i përgjigjeni pyetjeve të tyre.
  • Nëse ju pyesin ku keni lindur ose si keni hyrë në Shtetet e Bashkuara, mund të refuzoni të përgjigjeni ose thjesht mos flisni. 
  • Nëse zgjidhni të mos flisni, deklarojeni këtë me zë “I choose to remain silent.” (Kam zgjedhur të mos flas.) 
  • Mund të refuzoni të tregoni dokumentat e identitetit të cilat tregojnë se nga cili vend jeni. 
  • Mos tregoni dokumenta të rremë dhe mos gënjeni.
  • Keni të drejtën të flisni me një avokat. Nëse ju kanë ndalur ose ju kanë marrë në paraburgim, keni të drejtë të kontaktoni menjëherë një avokat ose të merrni një telefonatë nga avokati. Kërkoni një kopje të Detainee Handbook (manualit të të arrestuarit) për të kuptuar rregullat që lidhen me qendrën e paraburgimit.
  • Madje edhe nëse nuk keni avokat, mund t’u thoni zyrtarëve të emigracionit që dëshironi të flisni me një avokat.
  • Nëse keni avokat, keni të drejtë të flisni me të. Nëse keni një formular G-28 të firmosur që tregon që keni avokat, jepjani zyrtarit të emigracionit.
  • Nëse nuk keni avokat, kërkoni nga zyrtari i emigracionit një listë të avokatëve që ofrojnë shërbim falas. 
  • Keni gjithashtu të drejtë të kontaktoni konsullatën e vendit tuaj. Konsullata mund t’ju ndihmojë të gjeni avokat.
  • Mund të refuzoni të firmosni çfarëdolloj shkrese derisa t’ju jetë dhënë mundësia të flisni me një avokat. 
  • Nëse zgjidhni të firmosni diçka pa folur më parë me avokatin, përpara se të firmosni, sigurohuni që keni kuptuar egzaktësisht se çfarë thotë dhe nënkupton dokumenti.
  • Keni të drejtën të flisni dhe të kërkoni t’i bëni një telefonatë falas anëtarëve të familjes apo miqve në rast se pas 10 ditëve, nuk keni të holla mjaftueshëm në llogarinë tuaj.

Ky artikull ka për qëllim vetëm të japë një informacion të përgjithshëm dhe si i tillë nuk përbën një konsultë të mirëfilltë ligjore. Nuk duhet të ndërmerrni asnjë veprim apo të bazoheni në informacionin që përmban ky artikull pa u konsultuar më parë me një avokat të aftë emigracioni që është i pajisur me liçencën përkatëse. 

Për më shumë informacion e si informacioni i mësipërm mund të gjejë zbatim në rastin tuaj, ju lutemi kontaktoni avokatin tuaj të imigracionit ose gjeni një avokat imigracioni në faqen e internetit: https://www.ailalawyer.org/ 

Për përgatitjen e këtij dokumenti, falenderojmë shoqatën e avokatëve amerikanë të emigracionit AILA 

©2025 American Immigration Lawyers Association #AILAStandsWithImmigrants

Qёllimi ynё ёshtё tё ndihmojmё komunitetin shqiptar dhe të bëjmë të mundur që emigrantёt të kenë informacionin e nevojshëm pёr tё kёrkuar ndihmё nё mёnyrё tё pavarur. Ju inkurajojmë që komentet apo pyetjet tuaja t’i bëni përmes telefonit apo e-mail-it. Adresa elektronike është: [email protected]

Kjo rubrikë u ideua nga Albana M Lifschin në vitin 2008 për t’i ardhur në ndihmë komunitetit nëpërmjet gazetës “Illyria”

Comment

*