Katër shtetas rusë, që kishin ardhur në Shqipëri për turizëm janë gjetur të vdekur në ambientet e saunës të një hoteli në Qerret të Kavajës
Knid Ndrenika
Autoritetet në Shqipëri njoftuan zytarisht se katër shtetas turistë rusë u gjetën të vdekur në saunn e një hoteli në Qerret të Kavajës.
Në njoftimin paraprak u dhanë shkronjat nistore të emër-mbiemrave si dhe mosha e viktimave që mendohet se kanë lidhje familjare.
“Rreth orës 22:20, në Qerret, Kavaje, në ambientet e saunës të një hoteli, dyshohet se janë asfiksuar dhe për pasojë kanë ndërruar jetë shtetasit rusë, K. S, 31 vjeçe, N. L, 58 vjeç, N. A, 37 vjeçe dhe S. A, 60 vjeç”-njoftuan autoritetet.
Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë së Kavajës shkoi në vendngjarje dhe ia nisi punës për sqarimin e plotë të rrethanave që sollën vdekjen e turistëve rusë.
Viktimat janë dy meshkuj dhe dy femra, emrat e të cilëve u publikuan nga mediat, përkatësisht Natalia Burenkova, 58 vjeçe, Sergei Burenkova, 60 vjeç,
Nikita Belousov, 37 vjeç dhe Ekaterina Burenkova, 31 vjeçe.
Sipas policisë, turistët dyshohet se mund të kenë humbur jetën nga asfiksimi në saunan e hotelit.
Ndërkaq, pritet ekspertiza mjeko-ligjore për të përcaktuar shkaqet e duhura nëse vdekja e turistëve ka ardhur nga qëndrimi më shumë se sa duhet në dhomën e saunas.
Jozyrtarisht thuhet se hetimi po shtrihet për të mësuar edhe nëse turistët kishin konsumuar pije alkolike apo lëndë narkotike që mund të kenë ndikuar në asfiksimin e tyre në sauna.
Viktimat i gjeti recepsionisti i hotelit, i cili njoftoi menjëherë policinë dhe u tha autoriteteve se kishte shkuar për t’u thënë turistëve se kishin gati porositë e mbrëmjes.
Ambasada e Federatës Ruse në Tiranë u njoftua për këtë ngjarje, ndërkohë që autoritetet janë duke marrë në pyetje turistë të tjerë si dhe punonjës të hotelit në procesin e hetimit të ngjarjes.