Nju Jork, 9 janar 2022 – Më shumë se 800,000 banorë të qytetit të Nju Jorkut pa shtetësi amerikane, përfshirë imigrantë që janë sjellë në Shtetet e Bashkuara pa dokumenta si fëmijë do të mund të votojnë në zgjedhjet lokale, pasikryebashkiaku Eric Adams lejoi që legjislacioni i propozuar për këtë qëllim të kthehej automatikisht në ligj të dielën.
Kundërshtarët janë zotuar ta luftojnë ligjin e ri, të cilin Këshilli Bashkiak e miratoi para një muaji. Nëse zbatimi i ligjit nuk ndalohet nga ndonjë urdhër gjykate, Nju Jorku do të jetë qyteti i parë i madh në SHBA që u jep të drejta të gjera votimi në zgjedhjet lokale atyre që nuk kanë shtetësi.
Banorët pa shtetësi gjithsesi nuk mund të votojnë në zgjedhjet presidenciale, ato për Kongresin apo guvernatorët e shteteve.
Bordi i Zgjedhjeve duhet të fillojë tani hartimin e një plani zbatimi deri në korrik, përfshirë rregullat dhe dispozitat për regjistrimin e votuesve.
Është një moment vendimtar për qytetin me popullsi më të madhe në vend. Zgjedhjet e para ku joshtetasit do të mund të votojnë mbahen në vitin 2023.
Zoti Adamas kishte 30 ditë kohë që kur Këshilli Bashkiak miratoi projekt-ligjin për të mos lejuar që ai të kthehej në ligj. Ky afat skadoi në mesnatë, duke bërë që ligji të hynte në fuqi automatikisht.
(Zëri i Amerikës)