COLLEGE PARK, MARYLAND – Presidenti Joe Biden, aktualisht me pushime në Ishujt e Virgjër të SHBA-së, ka thënë se do të shfrytëzonte kohën gjatë festave për të diskutuar me anëtarët e familjes nëse ai do të kërkojë rizgjedhjen në vitin 2024.
Zyrtarët e Shtëpisë së Bardhë dhe Partisë Demokratike thonë se është pothuajse e sigurt që zoti Biden do të kandidojë përsëri. Por, a do ta sigurojë ai emërimin e partisë së tij?
Një vend ideal për të eksploruar këtë pyetje është Qarku i Princit Xhorxh në shtetin e Merilendit, ku zoti Biden mori 89% mbështetje – përqindja e tij më e lartë në zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2020.
Vetëm rreth një e katërta e 400,000 votuesve me të drejtë vote në kontenë e Princit Xhorxh zakonisht hedhin votat në zgjedhjet e rëndësishme. Pavarësisht nga pjesëmarrja, rezultati është i parashikueshëm në zgjedhjet e përgjithshme për postet drejtuese në mbarë qarqet – demokratët e kanë pothuajse të siguruar fitoren në qarkun më të madh me shumicë afrikano-amerikane në Shtetet e Bashkuara.
Ekzekutivi i qarkut, 11 anëtarët e këshillit të qarkut, sherifi, nëpunësi i gjykatës dhe rreth 24 ligjvënës nga qarku që mbajnë postin në asamblenë e përgjithshme të shtetit janë të gjithë demokratë.
“Nuk ka asnjë republikan që mund të mendojë se do të ishte në gjendje të fitonte brenda Qarkut të Princit Xhorxh,” tha kryetari i Komitetit Qendror Demokrat të qarkut Kent Roberson.
Nënkryetari i Komitetit Qendror Republikan në Qarkun e Princit Xhorxh pajtohet me këtë vlerësim.
“Jo nuk ka ndodhur gjatë jetës sime. Unë jam 70 vjeç tani. Merilendi është bërë gjithnjë e më i prirur demokrat – dhe patjetër ky qark – gjatë viteve që kam qenë këtu”, thotë Jim Wass për Zërin e Amerikës.
“Kjo nuk do të thotë se republikanët në qark duhet të heqin dorë nga votimi në zgjedhjet e përgjithshme”, thotë zoti Wass.
“Do ditë, do të ketë rëndësi”, thotë ai.
Çështja e Moshës
Ajo që ka rëndësi për shumë votues të të dyja partive është se Bideni, tashmë presidenti më i vjetër i SHBA-së, do të jetë 86 vjeç në fund të një mandati të dytë. Por në këtë qark ku ai kryesoi garën në vitin 2016, a do të ishte në gjendje të mposhtte të gjithë sfiduesit e zgjedhjeve paraprake në vitin 2024?
“Nuk besoj se ka mbështetje të padiskutieshme,” i tha zoti Roberson Zërit të Amerikës.
“Nëse shikojmë vlerësimet e ulëta për punën e tij, nuk mendoj se janë të gjithë republikanët që ndihen kështu, por janë edhe demokratët. Dhe pavarësisht se si ndihem unë për presidentin, mendoj se jemi gjithashtu të vetëdijshëm se njerëzit janë të shqetësuar se ai mund të mos jetë personi që do të vazhdojë në detyrë edhe për katër vjet të tjera’, tha ai.
Presidenti Biden, sipas zotit Roberson, bëri pjesën e tij duke e çuar vendin “nëpërmjet një faze tranzicioni nga Presidenti Donald Trump në vendin ku jemi tani”.
Ashtu si në qarqe të tjera shumë demokrate në të gjithë vendin, demokratët e kontesë së Princit Xhorxhit nuk janë monolitikë. Demokratët individualisht mbajnë etiketa të ndryshme: progresist, të moderuar, liberal ose konservator. Në vitin 2016, ata u bashkuan në mënyrë që Bideni t’i mohonte Trumpit një mandat të dytë.
“Ne të gjithë kemi qenë në gjendje të lëmë mënjanë të gjitha dallimet tona dhe të punojmë së bashku. Por ka gjithashtu nga ata individë që mendojnë se është e nevojshme për të ecur përpara me një kandidat tjetër. Dhe kështu, kjo ndikon se si do të ndjehen ata nëse Presidenti Biden duhet të vazhdojë apo jo në detyrë”, thotë zoti Roberson.
Shumë pretendentë të mundshëm
Presidentët aktualë që kërkojnë një mandat të dytë rrallëherë përballen me sfida serioze brenda partisë, por mosha e zotit Biden mund të ndryshojë këtë prirje.
I pyetur për të vlerësuar kandidatët presidencialë demokratë, republikani Wass tha se Gavin Newsom, guvernatori 55-vjeçar i Kalifornisë, ndoshta mund të tërheq më shumë demokratët e qarkut të Princit Xhorxh sesa Bideni.
“Dikush si Gavin Newsom mund të përshtatet me mentalitetin e demokratëve të qarkut Princi Xhorxh,” tha ai.
Në nëntor, guvernatori Newsom hodhi poshtë spekulimet se ai do të sfidonte zotin Biden.
“Ai jo vetëm që e mundi Trumpin një herë, por mendoj se mund ta mposhtë përsëri”, tha zoti Newsom në një intervistë për faqen Politico.
“Shpresoj që ai të kandidojë. Unë do ta mbështes me entuziazëm”, tha ai.
Nëse zoti Biden nuk kandidon për t’u rizgjedhur ose detyrohet të dalë jashtë garës për shkak të një çështjeje shëndetësore, zoti Newsom shihet si një kandidat kryesor, së bashku me nënpresidenten Kamala Harris, e cila është 58 vjeç; Senatorin Bernie Sanders, 81 vjeç; dhe Sekretarin e Transportit Pete Buttigieg, një 40-vjeçar relativisht i ri. Të tre ishin pretendentë në zgjedhjet paraprake demokrate në vitin 2020.
Zoti Wass kujton vitin 1992 kur një guvernator i panjohur nga shteti Arkansas i quajtur Bill Clinton vendosi të kandidonte për të marrë emërimin presidencial të Partisë Demokrate, pavarësisht se ekspertët politikë parashikonin guvernatorin e Nju Jorkut, Mario Cuomo, ishte ai që mundi republikanin aktual George H.W. Bush. Fushata e zotit Cuomo dështoi para se të fillonte dhe Clintoni e mposhti Bushin në zgjedhjet e përgjithshme.
“Gavin Newsom duhet të kandidojë ose do ta humbiste atë mundësi,” tha zoti Wass, duke shtuar se për të njëjtën arsye, ish-nënpresidenti Mike Pence dhe ish-sekretari i Shtetit Mike Pompeo duhet të hyjnë në garat paraprake republikane në vitin 2024.
“Edhe kur ish-Presidenti Trump duket se ka grumbulluar shumë fonde dhe vëmendje tani, këta njerëz duhet të kandidojnë”, tha zoti Wass.
Sfidues të tjerë të mundshëm kryesorë të Trumpit përfshijnë Guvernatorin e Floridës Ron DeSantis, Guvernatorin e Virxhinias Glenn Youngkin, Guvernatorin e Dakotës së Jugut, Kristi Noem, ish Guvernatoren e Karolinës së Jugut Nikki Haley, senatorin e Karolinës së Jugut Tim Scott dhe ish-ligjvënësen e Uajomingut Liz Cheney (e cila u mund për t’u rizgjedhur këtë vit dhe është vajza e ish-nënpresidentit Dick Cheney). Gjithashtu në mesin e republikanëve të moderuar përmenden Guvernatori i Nju Hempshërit, Chris Sununu dhe Guvernatori i Merilendit, Larry Hogan.
I vetmi president i zgjedhur në historinë amerikane të cilit iu mohua emërimi i partisë së tij për një mandat të dytë ishte demokrati Franklin Pierce në vitin 1856. Por shqetësimi atëherë ishin politikat e presidentit, jo mosha e tij.
Presidenti Pierce, të cilit i pëlqente të pinte, favorizoi skllavërinë ndërsa vendi po shkonte drejt luftës civile për këtë çështje. Partia e tij vendosi në vend të kësaj të emërojë James Buchanan, një ish-sekretar shteti i cili kishte shërbyer si ambasador i presidentit Pierce në Mbretërinë e Bashkuar dhe kështu nuk ishte përfshirë në debatin e diskutueshëm të skllavërisë.
Zoti Buchanan, i cili vetë nuk ishte mbështetës i abolicionistëve, mposhti dy pretendentë në zgjedhjet e përgjithshme nga partia Whig dhe ajo Republikane, pavarësisht se nuk bëri fushatë aktive, duke fituar në çdo shtet përveç Merilendit. Historianët përgjithësisht i konsiderojnë Pierce-n dhe Buchanan ndër presidentët më të famëkeq të Amerikës.
(Zëri i Amerikës)