Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16

Oslo, 10 korrik 2024 – Norvegjia do t’ia dhurojë Ukrainës gjashtë avionë luftarakë F-16, për ta ndihmuar të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse, tha Qeveria norvegjeze në një komunikatë të mërkurën.

Kryeministri norvegjez, Jonas Gahr Stoere, tha se dërgimi i avionëve F-16 do të fillojë këtë vit.

“Të kombinuar me sisteme mbrojtëse ajrore, avionët luftarakë do të jenë jetikë për t’ia mundësuar Ukrainës të mbrohet kundër sulmeve ajrore ruse”, tha Stoere në një komunikatë.

Kryeministri për herë të parë njoftoi në gusht të vitit të kaluar se Norvegjia do t’i dërgonte Kievit avionë F-16, por asokohe nuk tregoi se sa avionë do të dërgonte.

Prej atëherë, Oslo i ka dërguar dy avionë F-16 në Danimarkë që ata të përdoren për trajnimin e pilotëve ukrainas.

Danimarka është zotuar se do t’i dhurojë Ukrainës 19 avionë luftarakë, ndërsa Holanda ia ka premtuar 24 sish. Këto dy vende kanë qenë forcë shtytëse e koalicionit ndërkombëtar për furnizimin e Ukrainës me avionët F-16.

Ukraina ka kohë të gjatë që dëshiron t’i ketë në dorë avionët luftarakë F-16, për shkak të fuqisë së tyre shkatërruese.

(r.m.)