Norvegjia i dërgon armë kundërajrore Ukrainës

Oslo, 20 prill 2022 – Norvegjia i ka dhënë Ukrainës rreth 100 raketa kundërajrore Mistral të prodhimit francez, njoftoi qeveria norvegjeze të mërkurën më 20 prill.

Lëshuesit e raketave dhe raketat Mistral, të cilat tashmë janë dorëzuar, deri më tani ishin montuar në anijet e marinës norvegjeze, tha ministria e Mbrojtjes e këtij shteti në një deklaratë për media.

Mistral është një raketë tokë-ajër me rreze shumë të shkurtër veprimi. Mund të përdoret në automjete, anije dhe helikopterë.

Në një fjalim përmes videolidhjes në Parlamentin norvegjez në fund të marsit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, i kishte kërkuar Oslos raketa kundërajrore, megjithëse të tipit më modern “NASAMS” të prodhuar nga Kongsberg Defense dhe Aerospace e Norvegjisë.

“Raketa Mistral do të tërhiqet nga ushtria norvegjeze, por ajo është ende një armë moderne dhe efikase që do të jetë shumë e dobishme për Ukrainën”, tha në deklaratë ministri norvegjez i Mbrojtjes, Bjorn Arild Gram.

“Vendet e tjera, gjithashtu, kanë dhuruar sisteme të ngjashme armësh”, tha ai.

Që nga fillimi i pushtimit rus më 24 shkurt, Norvegjia tashmë i ka ofruar Ukrainës rreth 4,000 armë kundërtank dhe pajisje të tjera më të vogla ushtarake.

(REL)