Beograd, 10 tetor 2023 – “Pesëshja e madhe” që përfshin emisarin e Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe emisarët e presidentëve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Francës, Gjermanisë dhe Italisë do ta vizitojnë Serbinë në fund të muajit tetor, raporton mediumi serb “Novosti”.
Sipas këtij mediumi, ata do t’i bëjnë presion Vuçiqit të zbatojë marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit, si edhe të vendosë sanksione ndaj Rusisë.
Perëndimi ka dënuar sulmin ndaj Policisë së Kosovës nga grupi i armatosur i serbëve në Banjskëë të Zveçanit, më 24 shtator dhe ka kërkuar nga Serbia që pjesëtarët e grupit të mbahen përgjegjës për sulmin. SHBA dhe BE kanë paralajmëruar edhe masa ndëshkuese ndaj Serbisë, në qoftë se nuk bashkëpunon në hetimet për stërvitjet dhe armatosjen e grupit, si edhe për planifikimin, organizimin dhe kryerjen e sulmit.
“Novosti” shkruan se “pesëshja e madhe” do të ushtrojë presion ndaj Serbisë edhe që të mos e kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare, përfshirë edhe Organizatën e Kombeve të Bashkuara.
Kjo pesëshe e pati vizituar Serbinë në fillim të këtij viti, kur ndaj Beogradit ushtrohej presion të pranonte planin francezo-gjerman për normalizim të marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë.
(r.m.)