Nuk ka shenja të zvogëlimit të operacioneve të forcave ruse në Ukrainë

Kiev, 30 mars 2022 – Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Ukrainës tha se zotimi i Rusisë për tërheqje është i dizajnuar për të mashtruar.

Të martën, më 29 mars, Ministria e Mbrojtjes e Rusisë tha se do të zvogëlojë aktivitetin ushtarak në Kiev dhe Çernihiv me qëllim që të rritet besimi te bisedimet për vendosjen e paqes.

Shtabi i Përgjithshëm i forcave të armatosura të Ukrainës tha të martën se njësitë ruse po largoheshin nga rrethina e Kievit dhe Çernihivit, por theksoi se tërheqjet “me gjasë, janë vetëm një rotacion i njësive” me qëllim që të mashtrojnë udhëheqjen ushtarake të Ukrainës.

Shtabi i Përgjithshëm e transmeton edhe deklaratën e zëdhënësit të Pentagonit, John Kirby, i cili ka thënë se Kievi vazhdon të jetë i kërcënuar pavarësisht nga lëvizjet e forcave ruse.

Raportimet nga Ukraina po e arsyetojnë dyshimin se Rusia vërtet do të zvogëlojë operaciondet ushtarake në Ukrainë, siç ka deklaruar.

Transmetuesi publik britanik, BBC, njoftoi se të mërkurën në mëngjes janë dëgjuar shpërthime në afërsi të Kievit. Sipas BBC-së shpërthimet janë pasuar nga sirenat për sulme ajrore.

Guvernatori i Çernihivit, Viacheslav Chaus, tha se nuk ka parë zvogëlim të sulmeve ruse, pavarësisht premtimit të Moskës se do të bëjë një gjë të tillë në këtë qytet në veri të Ukrainës.

“A i besojmë këtij premtimi? Natyrisht që jo”, tha ai në një postim në Telegram.

“’Zvogëlimi i aktivitetit’ ushtarak në rajonin Çernihiv u demonstrua nga armiku duke kryer sulme në qytetin Nizhin, përfshirë sulmet ajrore, dhe gjatë natës ata kanë goditur edhe qytetin e Çernihivit”, tha guvernatori Chaus.

Guvernatori i Luhanskit, Serhiy Gaidai, përmes një postimi në Telegeram, njoftoi për vazhdimin e bombardimevde. Ai bëri të ditur se shumë ndërtesa janë rrëzuar dhe disa ndërtesa të larta të banimit janë dëmtuar.

“Shumë ndërtesa janë rrëzuar. Ekipet e shpëtimit po tentojnë t’i shpëtojnë banorët”, tha ai.

Ushtria ukrainase njoftoi se edhe zonat e banuara në qytetin Lisiçansk, në lindje të vendit, janë granatuar me artileri të rëndë, të mërkurën në mëngjes.

Ajo njoftoi të mërkurën se Rusia po vazhdon sulmet edhe në afërsi të Donjeckut, në lindje të Ukrainës dhe se trupat ruse po vazhdojnë të kryejnë akte kriminale kundër popualltës lokale në Zaporizhja, në jug-lindje, dhe në Herson, në jug të Ukrainës.

(r.m.)