Marrëdhëniet në mes të popujve në Ballkan gjithmonë kanë qenë të ngarkuara me tensione dhe raporte të pasqaruara etnike si pasojë qasjes së gabuar të elitave politike për t’i tejkaluar ato probleme. Ka kohë që flitet për një paqe të përgjithshme në Ballkan, mirëpo si duket oligarkive politike iu konvenon status-quoja, të cilët, të ndihmuar edhe nga forcat antperendimore, kryesisht të ardhur nga Moska, kanë shpikur lloj-lloj pengesash për të frenuar proceset euro-integruese. Një prej atyre pengesave është zhvendosja e procesit politik në katakombet e historisë, siç po ndodhë aktualisht edhe në kontestin e pazgjidhur në mes të Maqedonisë sl Veriut dhe Bullgarisë. Kjo e fundit ende nuk e ka shfuqizuar veton e saj në BE për fillimin e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut, ndërkohë që Shkupi zyrtar gabimisht iu ka referuar historisë si një aleat që do të mund ta nxirrte nga ngërçi i marrëdhënieve të tensionuara me Bullgarinë.
Maqedonia e Veriut dhe Bullgaria duhet sa më parë ta rikthejnë agjendën e mirëkuptimit reciprok në një proces politik i cili do t’i largonte mjegullat e historisë nga tryeza e negociatave. Nuk ka zgjidhje të mosmarrëveshjeve me formula historike të shek. 19, për arsye se tani jetojmë në një realitet të ri, politik, social e ekonomik.
Kjo vlen edhe për kontestin në mes të Kosovës dhe Serbisë, të cilat duhet të shmangen nga hijet e së kaluarës dhe t’i mbështeten plotësisht procesit eurointegrues të BE, që parasëgjithash kërkon fqinjësi të mirë dhe besim reciprok në mes të palëve.
Shtetet e rajonit tani kanë arritur t’i përshtaten një harte të re gjeopolitike, pas shpërbërjes së Jugosllavisë dhe sot kemi komplet një realitet të ri. Maqedonia është e pavarur, Kosova gjithashtu, ndërkohë që Bullgaria e Serbia duhet ta pranojnë dhe respektojnë këtë realitet. Por edhe elitat politike në Prishtinë dhe në Shkup duhet të bëjnë përpjekje maksimale që të lirohen nga grackat e vijave të kuqe që vijnë si pasojë e qasjes historiciste të problemeve.
Nuk mund të ecet përpara duke e mbajtur shikimin në retrovizorin e historisë sepse aksidentet në rrugëtim janë të pashmangshme. Rajoni gjeografikisht dhe kulturalisht i takon Evropës dhe Perëndimit në përgjithësi, prandaj zhvendosja nga dhomat e tymosura të historisë në ambientet ajrosura të së ardhmes i bëjnë mirë shëndetit të popujve të Ballkanit dhe ardhmërinë e tyre e vendosin në rrugë me shpejtësi më të mëdha.
Shkup, 15 nëntor 2021
(Autori është drejtor i Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore dhe Kulturore të Shqiptarëve në Shkup)