Numërohen afër gjysma e votave nga përfaqësitë diplomatike, Lëvizja Vetëvendosje ka fituar afër 82 për qind

Prishtinë, 27 shkurt 2025 – Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) po vazhdon numërimin e votave nga përfaqësitë diplomatike.

Sipas përditësimit të fundit të KQZ-së, Lëvizja Vetëvendosje është fituese e madhe e këtyre votave. Nga numërimi i votave të 44.19 për qind të vendvotimeve, Lëvizja Vetëvendosje I ka fituar 3.305 vota ose 81.89 për qind të tyre. E dyta është Lidhja Demokratike e Kosovës me 291 vota apo 7.21 për qind. Partia Demokratike e Kosovës i ka fituar 232 vota ose 5.75 për qind, kurse koalicioni Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës – Nisma Socialdemokrate- Konservatorët e Intelektualët i ka marrë 62 votaose me 1.54 për qind.

Bie në sy se Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar mbi 80 përqin të votave në shtetet me prani më të madhe të shtetasve të Kosovës. Ndër votuesit që kanë votuar në dy vendvotimet në Shtetet e Bashkuara, në Uashington dhe në Nju Jork, ka një dallim mjaft të madh të preferencës, ndonëse Lëvizja Vetëvendosje ka dale subjekti më i preferuar në të dyja vendvotimet. Në Nju Jork, Lëvizja Vetëvendosje i ka fituar madje 85.05 për qind të votave, kurse në Uashington kjo parti i ka fituar 55.56 për qind të votave.

Votimet në përfaqësitë diplomatike të Kosovës u zhvilluan në 43 vendvotime në 16 ambasada dhe 14 konsullata të Kosovës, në 19 shtete të ndryshme të botës. Pjesëmarrja në votimet e zhvilluara në ambasadat dhe konsullatat e Kosovës ishte 73.56 për qind e votuesve të regjistruar.

Votuesit kosovarë në diasporë kanë votuar edhe përmes postës. Numërimi i këtyre votave nuk ka filluar ende. KQZ ka njoftuar se numërimi i këtyre votave do të bëhet bashkë me votat me kusht brenda Kosovës dhe me votat e personave me nevoja të veçanta. Numërimi i këtyre votave do të bëhet pasi të jenë skanuar listat përfundimtare të votuesve, në mënyrë që të evitohet mundësia e votimeve të dyfishta.

Sipas trendit të votave nga qendrat e votimit në përfaqësitë diplomatike që janë numëruar deri tashti, Lëvizja Vetëvendosje do ta shtojë epërsinë ndaj subjekteve tjera politike. Në qoftë se ky trend vijon edhe në votat tjera nga përfaqësitë diplomatike dhe të votave të dërguara me postë, Lëvizja Vetëvendosje do t’i fitojë 48 ose 49 deputetë, gjë që ia lehtëson punën për krijimin e qeverisë së re. Në këtë rast, Vetëvdosjes i nevojiten votat e deputetëve të subjekteve politike të komuniteteve joserbe, të cilat kanë qenë pjesë e qeverisë së deritashme, dhe një ose dy deputetë të tjerë.

Partitë opozitare vështirë se mund të arrijnë të bëjnë shumicën vetëm me votat e tyre dhe me ato të subjekteve të komuniteteve, pa përfshirë votat e Listës Serbe, e cila kontrollohet nga Beogradi dhe angazhohet për agjenda të Beogradit.

(r.m.)

Comment

*