NZZ: Perëndimi e di se Vuçiqi nuk do të ndahet nga miqtë e tij në Moskë e Pekin

Cyrih, 2 shtator 2024 – Gazeta zvicerane Neue Zürcher Zeitung (NZZ) shkruan se Serbia do të vazhdojë të ruajë iqësinë me Rusinë dhe me Kinën, pavarësisht prej flirtimit me Perëndimin.

Andreas Ernst shkruan se Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, do të vazhdojë të mbajë me sukses qëndrimin e tij të dyfishtë, me Perëndimin dhe me Lindjen. Ai thekson se Vuçiq do të kënaqë disa interesa të Perëndimit dhe do të vazhdojë të ruajë miqësinë me Moskën dhe me Pekinin.

“Është e vërtetë se blerja e ‘Rafaleve’ nuk është hapi i vetëm përmes të cilit Serbia po shpreh solidaritetin e saj me Perëndimin. Beogradi i ka mbështetur të gjitha rezolutat e OKB-së kundër agresionit rus. Ajo gjithashtu e furnizon në një shkallë të madhe Ukrainën me municione, përmes rrugëve të tërthorta. Por, Vuçiqi nuk e ka ndërmend të ndahet nga miqtë e tij në Moskë dhe në Pekin. Ai nuk do të vendosë sanksione ndaj Rusisë. Po ashtu, llogarit në mbështetjen e Moskës dhe Pekinit për mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës”, shkruan Ernst.

Ai shkruan se në të vërtetë Vuçiqi nuk është i interesuar për integruimin e Serbisë në Bashkimin Evropian, por i intereson tregu evropian, dhe këtë e di Perëndimi.

“Në Beograd, Macron përsëriti frazën që e dëgjojmë nga të gjithë vizitorët e BE-s՞: vendi i Serbisë është në BE. As ai vetë nuk e beson këtë. Vuçiqi nuk është i interesuar për këtë. Ai nuk e do një shtet kushtetues funksional apo një transferim demokratik të pushtetit. Atij i intereson lidhja e vendit të tij me tregjet evropiane. Ai i përdor resurset e vendit të tij për të pranuar sundimi e tij”, shkruan Ernst.

Ai thekson se edhe BE-ja tashmë e ka ndryshuar qasjen ndaj Ballkanit. Sipas tij, BE-ja po e konsideron një model të ri të intregrimit të Ballkanit, i cili bazohet në interesa të vendeve të rëndësishme të unionit.  

“Gjërat po ndryshojnë edhe në BE. Atje po shfaqet një model i ri i integrimit. Ajo nuk bazohet më në një dokument strategjik, por në marrëdhëniet praktike me vendet e rajonit. Shtetet anëtare të rëndësishme duket se nuk e shohin më Ballkanin Perëndimor si një zonë e cila një ditë do t’i bashkohet unionit si një anëtare e barabartë, por si njëfarë zone e interesit strategjik. Atje, në vendet e vogla, ka princa të vegjël me të cilët mund të bëni ‘marrëveshje’ që nuk do të ishin të mundshme në shtëpi”, shkruan Ernst.

Ai i përdor si argument për këtë tri marrëveshje të vendeve të BE-së me vendet e Ballkanit.

“Gjermania dëshiron që kompania Rio Tinto të nxjerrë litium për industrinë e saj të makinave në një zonë bujqësore perëndimore të Serbisë; Danimarka do të drejtojë një burg në Kosovë në të cilin do t’i dërgojë të huajt e dënuar;  Italia do t’i dërgojë emigrantët që do t’i kapë në det në një kamp në Shqipëri, ku do të kryhen procedurat e dhënies të azilit. Dhe, më së fundi, vendet e BE-së rekrutojnë çdo vit në rajon dhjetëra mijëra punëtorë të kualifikuar, të cilët janë trajnuar në këto vende, dhe që do të mungojnë në tregun lokal të punës”, shkruan ai.

Ernst thekson se kjo qasje e Bashkimit Evropian “nuk do të jetë e mirë për të ardhmen e shoqërisë civile dhe të demokracisë në rajon”.

“Vitet e ardhshme do të vendosin nëse qytetarët e Ballkanit Perëndimor mund ta ndryshojnë këtë trend. Vështirë se do të ketë mbështetje nga jashtë”, përfundon Ernst.

(r.m.)