Astrit Lulushi
Në vitet 1910, shkrimtari i madh norvegjez Knut Hamsun përshkruan luftën e njeriut me urinë, të ftohtin e hidhur dhe talentin në qytetin Kristiana (Oslo, Norvegji). Dhe aty, Hamsun krijoi romanin e tij të famshëm me titull “Hunger” (Uri), ku tregon luftën e përditëshme të personazhit me urinë, të ftohtin, dhe krijimtarinë në qytetin të cilin ai vuante, e donte, dhe nuk ndahej dot prej tij. Për këtë roman, Hamsun fitoi çmimin Nobel në letërsi më 1920.
Kush lexon librin “Rrëfime lirie” të Shaqir Salihut bëhet më i ndjeshëm ndaj tjetrit dhe ndaj mjedisit ku jeton. Libri e ndryshon njeriun. Autori i përshkruan gjërat me aq imtësi sa çdo shkrimtar do t’ia kishte zilinë. Njeriu që thotë se është shkrimtar rrallë është. Shkrimtari kërkon vetminë. Atje ai risjell, bluan mendimet, turfullon, shkakton furtunë e pastaj shpërthen, krijon, shkruan. Shkrimtari mes turmës është thjesht njeri i padallueshëm që vetëm vëzhgon, pa e ditur. Për hir të së vërtetës, unë kam punuar gati 25 vjet me autorin, por kur lexoj librin e tij, them se nuk e kam njohur. Libri është një rrëfim me temë nga të jetuarit, aq i lehtë e i këndshëm në të lexuar, dhe po aq shumë ta rëndon zemrën kur mëson mbi udhën e pashtruar nëpër jetën e tij. Eshtë vërtet një “Hunger”.
Salihu e fillon librin me vitet e fëmijërisë dhe rinisë së herëshme, atëhere kur brenda njeriut çdo gjë ngjizet. Ai përshkruan bukur fshatin e tij, Banullë të Lipjanit në Fushë Kosovë; tregon për shtëpitë me qerpiç a baltë, e “dhomat” e ftohta që s’ngroheshin dot gjatë dimrit të acartë, me njerëz mbledhur rreth vatrës, tymin dhe varfërinë e tej-skajshme. Si është e mundur, mendon njeriu, që në Jugosllavinë “e lulëzuar” nga borxhet që Perëndimi i jepte Titos, në këtë fshat ashtu si në mbarë Kosovën, njerëz që jetonin në mes të hambarit të Jugosllavisë, rropateshin të rreckosut e vuanin për bukën e gojë; vriteshin e torturoheshin për armë që s’i kishin; poshtëroheshin, përndiqeshin e dëboheshin vetëm se ishin shqiptarë? Dhe pikërisht këtu, autori ndalet, mendon e thotë, se si nuk u ngrit njeri të kundërshtojë e vrasë?.. Por, ”ne shqiptarët ndoshta nuk kemi qenë dhe nuk jemi aq trima sa e dime dhe sa e mbajmë veten”, dhe pastaj kujton fjalët e Faik Konicës se “karakteri historik i shqiptarëve është çiltërsia, vërtetësia dhe të mbajturit e fjalës së dhënë. Ky karakter ka qenë përgjithësisht i tyri, dhe me të shqiptarët kanë fituar më tepër famë se me trimërinë e tyre.”
Dhe Shaqiri vazhdon udhëtimin e tij nga shkolla e Banullës, në atë të Lipjanit e pastaj në shkollën e mesme në Prishtinë. Këtu, ai, si Hamsun, bie në dashuri me qytetin, me zhurmat e tij, habitet pas dyqaneve të shumta, rrugëve plot njerëz, dhe kur kthehej në dhomën me qira, pa ujë, pa dritë, pa ngrohje, kërrusej mbi libra e mbështillej me batanije për t’u mbrojtur nga i ftohti i acartë i dimrit ballkanik.
Por…sa më shumë ta duash, aq më shumë dhimbje pëson…ky është ligj i pashkruar. Rrëfimi i Shaqirit herë herë të nxjerr në dritë dhe pastaj të fut në skuta të errëta. Diplomimi si mësues ia mbushi zemrën me gëzim. Ishte mësuesi i tretë që dilte nga fshati i tij, ndjehej krenar. Por vetëm kaq. Të tjera zhvillime jo fort të mira do të pasonin për Shaqirin si mësues në Lipjan. Një ndjenjë pasigurie e ndiqte. Dyshues në çdo gjë përballë eprorëve serbë, dhe atyre shqiptarë që besonin në “vëllazërim – bashkim”, Shaqiri nuk e përmbante veten. Kjo forcoi tek ai ndjenjën e mospajtimit e të kundërshtimit edhe për gjëra të parëndësishme që ndonjë koleg i tij e këshillonte të përmbahej. “Dua revolucion, vetëm revolucioni të nxjerr nga status – quoja”, shkruan Shaqir Salihu.
Dhe kjo natyrë rebele e të menduarit do ta shoqëronte atë gjatë gjithë udhës kudo që jeta do ta përplaste nga Lipjani, në burgjet jugosllave, në arratisje në Romë, e deri në Nju Jork e Uashington tek Zëri i Amerikës, ku më 2012 doli në pension.