Obama u bën thirrje amerikanëve të votojnë për “një kapitull të ri” me Kamala Harris

Çikago, 21 gusht 2024 – Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Barack Obama dhe bashkëshortja e tij, Michelle Obama, i kanë dhënë mbështetje të madhe kandidates demokrate për Presidente të Shteteve të Bashkuara, Kamala Harrisit.

Natën e dytë të Konventës Kombëtare Demokratike, në Çikago, çifti Obama u bëri thirrje votuesve amerikanë ta mbështesin zonjën Harris, duke theksuar se ajo paraqet “një kapitull të ri” të Amerikës.

Në një fjalim emocionues, ish-presidenti Obama tha se Kamala Harris ka mundësi ta shkruajë historinë e Shtëpisë së Bardhë.

“Ne duam diçka më të mirë. Ne duam të jemi më të mirë. Gëzimi dhe emocioni që po shohim rreth kësaj fushate na tregon se nuk jemi vetëm”, tha ai.

Obama i paralajmëroi amerikanët që të mos bien pre e mashtrimeve të kandidatit republican Donald Trump.

“Trumpi po u kthehet truqeve të vjetra politike. Përhapja e mentalitetit ‘ne dhe ata’ është vjetruar. Nuk na duhen edhe katër vjet kaos. Ne tashmë e kemi parë atë film. Të gjithë e dimë se zakonisht vazhdimi mund të jetë vetëm edhe më i keq”, theksoi ai.

Barack Obama foli në superlativ edhe për kandidatin demokrat për nënpresident, Tim Walz. Ai theksoi se i adhuron njerëzit si Walz.

“Unë e dua këtë djalë. Harris e ka gjetur partnerin e përsosur. Një administratë Harris-Walz mund të na ndihmojë t’i kapërcejmë disa nga argumentet e vjetra të lodhshme që e mbysin përparimin në thelbin e tyre”, përfundoi Obama.

Ndërsa bashkëshortja e tij, Michelle Obama, e kritikoi ashpër disa deklarata të Trumpit lidhur me zonjën Harrin. Ndër të tjera, ajo e pyeti me tallje Trumpin nëse e dinte se ishte kandidat “për një punë të zezë”, si president i SHBA-së. Kjo pyetje ishte reagim ndaj deklaratës së Trumpit se emigrantët po bëjnë “punë të zeza” në SHBA.

Fjalimet e çiftit Barack e Michele Obama u pritën me entuziazëm në Konventën Kombëtare Demokratike në Çikago, e cila ka prodhuar edhe një rritje të besimit se Kamala Harris do të dalë fituese në zgjedhjet presidenciale të 5 nëntorit.

Sondazhet e fundit në nivel kombëtar e nxjerrin zonjën Harris në një epërsi të lehtë ndaj Trumpit.

(r.m.)