O’Brien konfirmon përkrahjen e SHBA-ve për Kosovën

Paris, 11 nëntor 2023 – Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është takuar të shtunën në Paris me Zëvendës Sekretarin për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike të Departamentit të Shtetit amerikan, James C. O’Brien.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se Kurti dhe O’Brien kanë diskutuar për procesin e dialogut me Serbinë. Sipas njoftimit, Kurti është angazhuar për nënshkrimin e Marëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues, ndërsa z. O’Brien ka konfirmuar përkrahjen e vazhdueshme të ShBA-ve për Kosovën.

“Kryeministri Kurti veçoi faktin se Kosova ka qenë e vazhdon të jetë palë konstruktive, e dedikuar dhe angazhuar për hapa të rëndësishëm tutje në proces. Nënshkrimi i marrëveshjeve do të nënkuptonte pranim, e për rrjedhojë edhe garanci për zbatim të plotë të Marrëveshjes Bazike dhe Aneksit Implementues.

Në përfundim, Zëvendës Sekretari O’Brien konfirmoi përkrahjen e vazhdueshme të ShBA-ve ndaj Republikës së Kosovës. Kryeministri Kurti e falënderoi atë për takimin, bisedën e frytshme dhe miqësinë e partneritetin mes dy vendeve tona”, thuhet në njofim.

Zyra e Kryeministrit të Kosovës njofton se Kurti ka thënë se Kosova “i përket familjes evropiane e demokracive perëndimore” dhe “mbetet e përkushtuar maksimalisht në rrugën e saj drejt anëtarësimit në BE dhe NATO, si objektiva kryesore strategjike”.

“Vendi ynë mbetet i angazhuar dhe në rrugën drejt tranzicionit të gjelbër të energjisë, ku dhe po zbatohet Programi i Kompaktit në kuadër të marrëveshjes së nënshkruar me Korporatën e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC)”, citohet Kurti.

Kurti ka folur për progresin ekonomik të Kosovës dhe mbi projektet zhvillimore. Ai ka vënë theksin në projektet për ndërtimin e kapaciteteve të reja gjeneruese të energjisë së pastër.

(r.m.)