Nju Jork, 2 shtator 2021 – Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) e ka caktuar një lloj të ri të COVID-19, të emërtuar variant “Mu”.
Të martën, në buletinin e saj javor, OBSH njoftoi se variant “Mu”, i njohur me emërtimin shkencor B.1.621, është zbuluar në Amerikën e Jugut dhe në Evropë, që kur u identifikua për herë të parë në Kolumbi, në muajin janar.
OBSH tha se varianti Mu i ka disa karakteristika që e bëjnë atë më rezistent ndaj vaksinave, prandaj e cilësoi si variant shqetësues. Megjithatë, kjo agjenci tha se duhet të bëhen më shumë studime për të kuptuar plotësisht se si funksionon ky variant.
Varianti Mu është i pesti variant i COVID-19 i caktuar nga OBSH. Katër variante të tjera janë përcaktuar si “variante shqetësuese”, përfshirë variantin “Alfa”, i cili është zbuluar në 193 vende, dhe variantin më ngjitës “Delta”, i pranishëm në 170 vende të botës, i cili është është shkaktar i rritjes aktuale të infeksioneve të reja në të gjithë botën.
Shkencëtarët në Afrikën e Jugut njoftuan në fillim të kësaj jave se e kanë zbuluar një variant të ri COVID-19 me emërtimin C.1.2. Varianti është përhapur në gjithë Afrikën, Azinë, Evropën dhe rajonin jugor të Paqësorit në Oqeani, që kur u pa për herë të parë në Afrikën e Jugut, në muajin maj.
Varianti nuk është identifikuar nga OBSH-ja si variant shqetësues.
Drejtoresha e Qendrave Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve Dr Rochelle Walensky, të martën u bëri thirrje amerikanëve që nuk kanë marrë një vaksinë COVID-19 të shmangin udhëtimet gjatë fundjavës së ardhshme kur festohet Dita e Punës për shkak të një rritje të infeksioneve të reja dhe vdekjeve të shkaktuara nga varianti delta. Shtetet e Bashkuara kanë mesatarisht mbi 100.000 raste të reja të COVID-19 në ditë, me shtete si Florida, Misisipi dhe Uashingtoni që raportojnë nivele rekord të rasteve të reja dhe të shtrimeve në spital.
Ndërkohë, dy zyrtarët kryesorë në zyrën e Shqyrtimit të Vaksinave të Administratës Amerikane të Ushqimit dhe Barnave (FDA) do të lënë postet e tyre në javët e ardhshme. Dr Marion Gruber, drejtori i divizionit, do të dalë në pension në muajin tetor, ndërsa zëvendësi i saj, Dr. Philip Krause, do të largohet në muajin nëntor. Largimet e tyre vijnë në një kohë vendimtare për FDA, e cila po i afrohet vendimit të rëndësishëm nëse do të rekomandojë vaksinat COVID-19 për fëmijët nën 12 vjeç dhe injeksione përforcuese të vaksinave aktuale, të miratuara tashmë për amerikanët e rritur.
(Zëri i Amerikës)