OBSH: Shqipëria, shteti me më pak mjekë për 10 mijë banorë në Europë
Shqipëria renditet në vendin që kishte më pak mjekë për 10 mijë banorë në Europë, edhe në vitin 2019, sipas të dhënave të Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), të përditësuara në shkurt 2021.
Ndonëse me rritje, në krahasim me vitin 2016, kur ky tregues ishte 12.2, sërish Shqipëria ka më pak mjekë në dispozicion të popullatës së saj, të paktën dy herë më pak se mesatarja e Europës prej 47.6 mjekësh për 10 mijë banorë.
OBSH ka publikuar edhe të dhënat në vite, kur në 2018-n, numri i mjekëve për 10 mijë banorë në vend arriti në rekordin e 21.58, duke rënë sërish një vit më pas, duke reflektuar emigracionin që ka përfshirë trupën mjekësore, kryesisht në Gjermani.
Shteti i dytë me më pak mjekë në raport me popullsinë, sipas të dhënave të OBSH-së është Turqia, me tregues 18.7, me të dhënat e fundit të përditësuara për 2018-n. Më pas renditen Qipro (19.5), Polonia (23.8), Bosnja (21.62). Nga shtetet e rajonit, më shumë personel mjekësor ka Serbia (31.1).
Në Europë, rekordin për një trupë të zgjeruar të personelit mjekësor, e mban Italia, me 80 mjekë për 10 mijë banorë në 2019-n, e ndjekur nga Gjeorgjia (70.7), Franca (66.3), Greqia (62.3).
Gjermania, që vitet e fundit po tërheq personel nga vendet e Europës Lindore, përfshi Shqipërinë, e ka rritur treguesin në një dekadë nga 35 në 42 mjekë për 10 mijë banorë.
Mesatarja globale është 17.5 mjekë për 10 mijë banorë. Treguesi mesatar ulet për shkak të nivelit të ulët të shërbimit mjekësor në vendet e Afrikës (2-9 mjekë për 10 mijë banorë), dhe të disa rajoneve të Azisë (6-9). Europa është kontinenti që investon më shumë për shërbimin mjekësor (47.6). Mesatarja e Amerikës së Veriut është 25.9 (në SHBA 26 dhe Kanada 24). Rekordin e mban Meksika, me 48.5.
Brazili, që po përballet aktualisht me një valë agresive të pandemisë së Covid-19, ka 23 mjekë për 10 mijë banorë. Rekordin në Amerikën e Jugut e mban Kili (51.8).
Shtetet me më pak mjekë shënuan rritje më të lartë vdekjesh gjatë pandemisë
Numri i mjekëve në dispozicion të popullsisë ishte një nga treguesit kryesorë ku u përqendruan raportet ndërkombëtare me fillimin e pandemisë së Covid-19. Sa më i ulët të ishte ky tregues, së bashku me shpenzimet për shëndetësinë në raport me madhësinë e ekonomisë, më të vështirë do ta kishin vendet të përballonin presionin që pandemia do të ushtronte në sistemet e tyre spitalore.
OKB, në një raport kur filloi pandemia konstatonte se “Duhet theksuar se shpenzimet publike për shëndetësinë si pjesë e PBB-së janë më të ulëta në Shqipëri (2.97%) sesa në shumicën e vendeve të Europës Juglindore, dhe parashikimet për vitet 2020-2022 tregojnë një ulje të lehtë në 2.94% deri në vitin 2022. Kjo tendencë është veçanërisht shqetësuese nëse duhet të ndërtojmë dhe të fuqizojmë një sistem shëndetësor më të mirë.
Projeksioni i OBSH për vitin 2020-2022 tregon se Shqipëria do të shpenzojë për tre vitet e ardhshme më pak se 10% për shëndetin nga paratë e përgjithshme publike. Rënia e burimeve për kujdesin parësor është shqetësuese. Strategjia për zhvillimin e kujdesit parësor në Shqipëri kërkon një buxhet të rritur në 25%. Roli i rëndësishëm i kujdesit parësor në përgjigjen dhe shërimin e COVID 19 është i rëndësishëm”, thuhet në raport.
Pas një viti pandemi, të dhënat tregojnë se ka një lidhje direkte mes numrit të ulët të mjekëve për 10 mijë banorë dhe rritjes së vdekshmërisë nga Covid-19. Shqipëria deri tani është shteti që ka parë rritje më të lartë të fataliteteve që nga marsi i vitit të kaluar, kur filluan të shënoheshin humbjet e para të jetëve. Të dhënat e INSTAT dhe Eurostat tregojnë se mars-dhjetor 2020, periudhën kur filloi e kulmoi pandemia, e krahasuar me mesataren e të njëjtës periudhë 2016-2019, Shqipëria pa një rritje të numrit të vdekjeve me 38%.
Shqipëria ka një diferencë rreth 30% më të lartë për shtesën e vdekshmërisë në periudhën e pandemisë me të gjithë shtetet e tjera të Europës. Shteti i dytë pas nesh, me rritjen më të lartë të fataliteteve për periudhën pandemike është Maqedonia , me +29%, e ndjekur nga Spanja (+27.2), Polonia (27.1%), Sllovenia (+26.4).
(Mlonitor)