Nga Dardan Malaj
Misioni Ndërkombëtar i Vëzhguesve të zgjedhjeve të 23 Qershorit ka bërë publik raportin e parë të ndërmjetëm duke kritikuar në masë të konsiderueshme Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.
Skuadra e drejtuar nga amerikaneje Conny McCormak konstaton se institucioni qendror i menaxhimit të zgjedhjeve ka miratuar akte normative të cilat kërkojnë pesë vota me shumicë të thjeshtë prej katër votash ndërsa është shmangur miratimi i vendimeve të nevojshme për të ndryshuar aktet e vjetruara.
“Disa vendime të KQZ-së janë kritikuar për mungesë të arsyetimit të shëndoshë ligjor. Përveç ndryshimeve të anëtarëve të KQZ-së ajo zëvendësoi të gjithë anëtarët e KZAZ-ve të emëruara nga partia e dytë më e madhe e opozitës (PBDNJ) me persona të përzgjedhur nga PR-ja”, thotë raporti ndërsa kujton edhe rastin kur KQZ vendosi ti ri rendisë në mënyrë manuale partitë në fletën e votimit pasi ishte hedhur shorti për të përcaktuar renditjen e tyre, pavarësisht se ligji kërkon një renditje të rastësishme siç përcaktohet nga hedhja e shortit.
Raporti insiston se KQZ ka shprehur besim tek zbatimi i Sistemit të Verifikimit Elektronik të votave në Qarkun e Tiranës por përfaqësuesit e disa partive politike dhe shoqëria civile kanë shprehur pakënaqësi në lidhje me paaftësinë e sistemit për të lexuar kartat e vlerësuara të identitetit apo për të ndalur përpjekjet për votim më shumë se një herë në qendra të ndryshme votimi.
Sa i takon sistemit të numërimit elektronik të votave në Qarkun e Fierit edhe ndërkombëtarët shprehen se gjatë testeve janë konstatuar një sërë problemesh ku përfshihet shpejtësia e ulët e procedimit dhe kapaciteti i pamjaftueshëm.
“Një vendim i KQZ-së i kohëve të fundit për të ruajtur modelin e fletës së votimit, mund ta bëjë të pamundur përdorimin e projektit pilot, meqenëse kapaciteti i sistemit të përzgjedhur kufizohet në 42 emra, ndërkohë që vlera liston 76”, nënvizohet në raport.
ODIHR vlerëson se mjedisi i fushatës në përgjithësi ka qene i qetë dhe paqësor, Partia Demokratike thekson arritjet e qeverisë së saj dhe veçanërisht zhvillimin e infrastrukturës dhe rritjen e pagave të nëpunësve civilë ndërsa Partia Socialiste kritikon qeverinë dhe premton përparim të zhvillimit social.
Misioni vëzhgues thotë se ka vëzhguar disa aktivitete zyrtare qeveritare që janë përdorur për qëllime fushate. “Përurimi i rrugëve të reja dhe prezantimi i projekteve në lidhje me infrastrukturën, janë shoqëruar me slogane dhe flamuj të fushatës së Partisë Demokratike, faqja zyrtare e kryeministrit mbulon aktivitetet e fushatës që ai ndjek”, konstatojnë vëzhguesit.
Një tjetër aspekt i vënë në qendër të monitorimit janë pretendimet e opozitës se punonjësve të sektorit publik u kërkohet të marrin pjesë në tubime elektorale ose të sigurojnë mbështetje për partinë në pushtet ashtu sikurse pushime nga puna në sektorin publik për arsye politike. ODIHR sqaron se “takoi disa nga këto ish punonjës të cilët konfirmuan pretendime të tilla”.
I vetmi reagim pas publikimit të raportit ka ardhur nga Partia Socialiste e cila vlerëson se pasqyrohet me vërtetësi problemi serioz dhe shkeljet e ligjit që po shoqërojnë zgjedhjet e 23 Qershorit.
Nënsekretari për çështjet zgjedhore Koli Bele “raporti vërteton denoncimet publike që PS ka bërë gjatë muajve të fundit, janë një kambanë alarmi për cenimin e standardeve zgjedhore, kusht i pa negociueshëm për proceset integruese të vendit!”.
Nga Partia Demokratike deri më tani kanë munguar komentet për përmbajtjen e raportit të misionit të vëzhguesve ndërsa gjithçka po shkon drejt ditëve të fundit të fushatës zgjedhore.