OEAK: Qeveria të adresojë menjëherë sfidat me të cilat përballet ekonomia

Prishtinë, 28 korrik 2023 – Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë (OEAK) ka kërkuar nga Qeveria  Kosovës të adresojë menjëherë sfidat me tëcilat përballet ekonomia.

Kjo kërkesë vjen një ditë pas publikimit të raportit të Departamentit  amerikan të Shtetit (DASH) për klimën e investimeve të huaja direkte, kur thuhet se ndërhyrjet politike dhe pasiguria juridike janë ngesat kryesore për investitorët e huaj.

OEAK thekson se shqetësimet që burojnë nga raporti i DASH duhet të adresohen sa më shpejt.

“Këto gjetje, duke theksuar ndërhyrjen thelbësore politike në ekonomi dhe mungesën e dialogut publiko-privat, vënë në spikamë aftësinë e vendit për të tërhequr investimet e huaja direkte (IHD), që janë vendimtare për zhvillimin ekonomik”, thuhet në deklaratën e OEAK.

“Është shqetësuese të shihet se çështje të tilla jo vetëm që po ndikojnë në imazhin ndërkombëtar, por gjithashtu po nxisin pakënaqësi në mesin e qytetarëve të Kosovës. Hulumtimi i fundit i Pulsit Publik nga UNDP-ja ka treguar se vetëm 17.7% e qytetarëve janë të kënaqur me drejtimin ekonomik të Kosovës. Kjo statistikë sinjalizon një nevojë urgjente për ndryshim dhe përmirësim sistematik në qeverisjen ekonomike duke nënvizuar peshën e detyrave që duhen zbatuar”, thuhet tutje në deklaratë.

OEAK thekson se ndërhyrjet politike në ekonomi dhe në gjyqësor minojnë drejtpërdrejt besimin e investitorëve, pengojnë dinamikën e tregut dhe përbëjnë rrezik të konsiderueshëm për investitorët e mundshëm.

“Kjo ndërhyrje vë në dyshim reputacionin e Kosovës si një mjedis stabil dhe i parashikueshëm për investime. Pa adresuar këtë, vendi rrezikon të gërryejë më tej besimin e investitorëve dhe qytetarëve të tij”, thuhet në deklaratën e OEAK.

“Në mënyrë të ngjashme, mungesa e një dialogu funksional dhe sistematik publiko-privat, pavarësisht rregulloreve që detyrojnë konsultimin publik, është një çështje shqetësuese. Aprovimi i rregullave të reja shpesh pa diskutime thelbësore me palët e interesit krijon një mjedis rregullator të paparashikueshëm që mund të pengojë investitorët”, thuhet më tutj në deklaratë.

OEAK bën thirrje edhe për adresimin e sfidave tjera që e pengojnë rritjen ekonomike, si: integrimi i kufizuar ekonomik rajonal dhe global, marrëdhëniet jo të mira ndërfqinjësore, furnizimi jo i besueshëm me energji elektrike dhe vështirësitë në realizimin e të drejtave pronësore.

Ajo tërheq vërejtjen edhe për pengesat tjera në rrugën e zhvillimit ekonomik.

“Sektori i madh joformal dhe korrupsioni i shfrenuar vazhdojnë të jenë pengues për investitorët, ndërsa të mbështeturit e madh në përkrahjen financiare ndërkombëtare dhe remitencat vë në pikëpyetje qëndrueshmërinë afatgjatë të ekonomisë së Kosovës”, thekson OEAK.

“Qeveria duhet të veprojë shpejt dhe me vendosmëri për të zbutur këto shqetësime. Eliminimi i ndërhyrjeve politike, vendosja e një dialogu efektiv publiko-privat dhe zbatimi i strategjive për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar infrastrukturën e Kosovës duhet të jenë ndër prioritetet kryesore të agjendës së Qeverisë. Duke nxitur një klimë transparence, parashikueshmërie dhe dialogu të hapur, vendi do të përmirësojë me doemos imazhin e tij para investitorëve të huaj”, thuhet në deklaratën e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë.

(r.m.)