Prishtinë, 23 mars 2025 – Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) e vlerëson të dëmshëm për bizneset vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë.
Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) ka kërkuar që të gjitha kompanitë me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim mbi 10 milionë euro, të dalin në tregun e hapur të energjisë nga 1 qershori.
OEK njoftoi se Avokatit të Popullit i ka kërkuar që këtë vendim ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese Kushtetuese, për ta pezulluar atë për një vit.
“Oda Ekonomike e Kosovës i është drejtuar Avokatit të Popullit me kërkesë që në emër të interesit publik dhe bazuar në kompetencat e tij ligjore e kushtetuese, të iniciojë këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese për pezullimin e vendimit të ZRrE-së për një periudhë kohore prej të paktën një viti”, thuhet në njoftim.
Ajo vjerëson se kalimi i bizneseve në tregun e hapur të energjisë mund të ketë ndikim të drejtpërdrejt në koston e prodhimit dhe të shërbimeve.
“Një rritje e tillë do të ndikonte negativisht në konkurrueshmërinë e bizneseve në tregun e brendshëm dhe atë të jashtëm, duke ulur gjithashtu standardin jetësor të qytetarëve”, thuhet në argumentet e OEK-ut.
Kjo shoqatë tregon se bizneset që preken nga ky vendim druajnë se kalimi në tregun e hapur të energjisë do të sjellë rritje të ndjeshme të Kostos së energjisë, gjë që ka ndikim të drejtpërdrejtë në qëndrueshmërinë financiare të tyre.
“Shumë kompani nuk janë të përgatitura për këtë kalim dhe kanë nevojë për më shumë kohë për t’u përshtatur me modelin e tregut të lirë”, thuhet në arsyetimin e OEK-ut.
Ajo vlerëson se kalimi i menjëhershëm në tregun e liberalizuar të energjisë do të godiste më shumë bizneset më të vogla, gjë që do të ndikonte negativisht në mundësitë e konkurrueshmërisë.
“Duke marrë parasysh këto shqetësime, bizneset i bëjnë thirrje ZRRE-së që të shqyrtojë mundësinë e shtyrjes së afatit për kalimin në tregun e hapur të energjisë për të paktën një vit. Një periudhë tranzicioni më e gjatë do t’u lejonte kompanive të përshtatin strategjitë e tyre dhe të shmangin goditjet e papritura financiare”, thuhet në kërkesën e OEK-ut drejtuar Avokatit të Popullit.
Vendimi i ZRRE-së për kalimin e bizneseve në tregun e hapur të energjisë u mor pak ditë pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit. Partitë politike opozitare janë deklaruar kundër këtij vendimi për të cilin e fajësojnë Qeverinë dhe kryeministrin Albin Kurti.
(r.m.)