“Për herë të parë, zyrtarë të lartë janë shkarkuar nga detyra, janë ndjekur penalisht dhe janë dënuar për korrupsion, pasuritë e tyre janë konfiskuar dhe tashmë po rihapen çështje të rëndësishme penale.“
Shkëlqesia Juaj Z. Kryetar i Sesionit Plenar,
Të nderuar Përfaqësues,
Zonja dhe zotërinj,
Është një privilegj i madh që në cilësinë e Ministrit të Drejtësisë të Shqipërisë, të jem e pranishme sot në Sesionin e Posaçëm të Asamblesë së Përgjithshme mbi “Sfidat dhe Masat për Parandalimin dhe Luftimin e Korrupsionit”.
Ky takim shërben si një kujtesë për të avancuar përpjekjet tona në parandalimin dhe luftën kundër korrupsionit, por mbi të gjitha, për të rinovuar angazhimin tonë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar për të gjetur mënyra dhe mjete të reja për të luftuar korrupsionin.
Korrupsioni padyshim cënon parimet e demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Ai prek thelbin e besimit që qytetari i jep qeverisë në mënyrë që kjo e fundit të përmbushë përgjegjësitë e saj. Përparimi dhe mirëqenia e një vendi ndikohen thellësisht nga pengesat e shkaktuara nga praktikat korruptive në të gjitha nivelet e qeverisjes.
Shqipëria ka vuajtur gjerësisht nga ekzistenca e fenomeneve korruptive në dekadat e fundit, çka ka penguar procesin e demokratizimit, rritjen e ekonomisë, cilësinë e ofrimit të shërbimeve dhe ecurinë e të gjithë shoqërisë në tërësi.
Për këtë arsye, Qeveria Shqiptare e ka vendosur luftën kundër korrupsionit në krye të agjendës së saj politike, duke ndërmarrë hapa konkretë përmes politikave ndërsektoriale, ashtu si edhe mekanizma të shumë niveleve për ta luftuar atë.
Ne jemi të vendosur ta çrrënjosim korrupsionin dhe të forcojmë shtetin e së drejtës dhe demokracinë në vendin tonë.
Në këtë kontekst, ne pamë nevojën akute që paraqitej për Shqipërinë për ta filluar pastrimin nga Pallati i Drejtësisë, në mënyrë që të garantohej efektiviteti i përpjekjeve të saj të mëtejshme kundër korrupsionit në të gjitha fushat e veprimit qeveritar.
Gjatë pesë viteve të fundit, si asnjëherë më parë, Shqipëria ka ndërmarrë reformën më rrënjësore në sistemin e drejtësisë, e cila kishte për qëllim të rikthente besimin e qytetarëve në një sistem gjyqësor të bazuar në integritet, transparencë, profesionalizëm, efikasitet dhe mbi të gjitha, pavarësi.
Reforma në drejtësi ka shënuar një pikë kthese në drejtim të intensifikimit të përpjekjeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Me qëllim, goditjen e korrupsionit endemik në sistemin gjyqësor, u ndërtua një sistem unik i vetingut të gjyqtarëve.
Krah kësaj, tashmë është bërë funksionale edhe një arkitekturë e tërë institucionale në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, duke përfshirë një Prokurori të Posaçme për Luftën kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, gjykatat e posaçme, si dhe Byronë Kombëtare të Hetimit. Një arkitekturë e tillë institucionale mundëson kanalizimin e përpjekjeve ndëshkuese, duke përjashtuar gjyqtarët dhe prokurorët e korruptuar nga sistemi dhe duke siguruar hetimin dhe ndëshkimin e praktikave të tyre korruptive.
Tashmë që reforma në Drejtësi është në një fazë të avancuar të zbatimit të saj, me krenari pohojmë se rezultatet e një reforme të tillë kanë qenë tejet shpërblyese dhe inkurajuese.
Për herë të parë, zyrtarë të lartë janë shkarkuar nga detyra, janë ndjekur penalisht dhe janë dënuar për korrupsion, pasuritë e tyre janë konfiskuar dhe tashmë po rihapen çështje të rëndësishme penale.
Zbatimi i reformës në Drejtësi në Shqipëri ka qenë një përpjekje tejet sfiduese. Pavarësisht kësaj, përmes përkrahjes së çmuar të partnerëve tanë ndërkombëtarë, BE-së dhe SHBA-së, ne arritëm të ngrihemi në një nivel të denjë për këtë sfidë.
Përkrahja e partnerëve tanë ndërkombëtarë ka qenë vendimtare duke na mundësuar që të qëndrojmë të vendosur dhe besnikë ndaj vizionit tonë: ndërtimit të një sistemi drejtësie, i cili do t’i japë fund pandëshkueshmërisë në Shqipëri. Është pikërisht ky sistem i përtëritur drejtësie që do të shërbejë si baza e ndërtimit të institucioneve të forta e të qëndrueshme.
Qeveria Shqiptare, përmes digjitalizimit të plotë të shërbimeve publike dhe me anë të zbatimit të mekanizmave të aksesueshëm të denoncimit, ka ndërtuar instrumente të qëndrueshme të cilat u ofrojnë qytetarëve gardianin e tyre mbrojtës kundër korrupsionit.
Përgjatë zbatimit të agjendës sonë kundër korrupsionit, kemi krijuar një bashkëpunim domethënës me shoqërinë civile dhe komunitetin e biznesit, në mënyrë që të kuptojmë llojet dhe format e korrupsionit dhe të përshtasim politikat tona antikorrupsion për goditjen e tyre.
Po ashtu, kemi përmirësuar thelbësisht praktikat tona kundër korrupsionit, duke marrë shumë seriozisht rekomandimet e GRECO-s dhe MONEYVAL-it dhe kemi shënuar progres të rëndësishëm në përpjekjet tona të përbashkëta.
Të nderuar pjesëmarrës dhe kolegë!
Sado që secili prej nesh përpiqet të luftojë korrupsionin brenda kufijve tanë respektivë, ky fenomen është bërë gjithnjë e më kompleks dhe ndërkombëtar. Ne nuk mund të qëndrojmë më pas mureve tradicionale të kufijve shtetërorë për të identifikuar dhe luftuar flukset e paligjshme financiare dhe shumë lloje të tjera të krimit të organizuar, të cilat janë thellësisht të ndërthurura me praktikat korruptive.
Jam sot këtu për të shprehur vullnetin e plotë të Qeverisë Shqiptare për të ndërmarrë të gjithë hapat konkretë që nevojiten për të avancuar këtë betejë të përbashkët kundër korrupsionit.
Unë besoj fuqimisht se ky forum do të shërbejë për të gjithë ne si një mundësi për të forcuar zbatimin e Konventës së Kombeve të Bashkuara Kundër Korrupsionit, dhe si një platformë e përbashkët për të shumëfishuar dhe intensifikuar përpjekjet tona të ndërsjella në luftën kundër korrupsionit, me qëllim forcimin e shtetit ligjor, duke garantuar progres të shpejtë për vendet tona dhe duke ofruar një botë mundësish për qytetarët tanë.
Faleminderit shumë!