Gjenevë, 7 janar 2023 – Zyra e OKB-së për të drejtat e njeriut i ka bërë thirrje qeverisë së presidentit të Bjellorusisë, Aleksandër Lukashenko, që të rrëzojë akuzat penale kundër fituesit të çmimit Nobel për Paqe, Ales Bialiatski dhe ta lirojë atë menjëherë.
Zoti Ales Bialiatski doli para gjyqit të enjten në kryeqytetin Minsk, nën akuza që aktivistët e të drejtave të njeriut i konsiderojnë gjerësisht të manipuluara. Nëse shpallet fajtor, ai përballet me 12 vjet burg.
Dy përfaqësues të tjerë të organizatës së tij, Qendra për të Drejtat e Njeriut Viasna, janë gjithashtu në gjyq dhe mund të përballen me dënime të gjata me burg.
Zëdhënësi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Jeremy Laurence, thotë se zyra e tij ka shqetësime serioze lidhur me zhvillimin e gjyqit ndaj tyre.
“Të tre ata janë në mesin e qindra të arrestuarve pas një shtypjeje të dhunshme të protestave antiqeveritare në vitin 2020”, tha zoti Laurence.
“Bëjmë thirrje që të rrëzohen akuzat kundër tyre dhe të lirohen menjëherë”, tha ai.
Zoti Bialiatski së bashku me organizatën ruse të të drejtave të njeriut “Memorial” dhe organizatën ukrainase të të drejtave të njeriut “Qendra për Liritë Civile” fituan çmimin Nobel për paqen në vitin 2022. Zoti Bialiatski nuk mori pjesë në ceremoninë e ndarjes së çmimeve në tetor pasi ishte në qeli.
Zëdhënësi i OKB-së për të drejtat e njeriut, Jeremy Laurence thotë se zoti Bialiatski dhe kolegët e tij janë ndaluar nën akuzat për financimin e protestave kundër qeverisë dhe për shkeljen e rendit publik.
“Nuk jam avokat, kështu që nuk mund të futem në detaje teknike lidhur me ligjet në bazë të cilave janë ngritur akuzat kundër tyre”, tha zoti Laurence.
“Mjafton të thuhet se ne i konsiderojmë arbitrare këto arrestime. Akuzat janë thjesht të motivuara politikisht”, shtoi ai.
Zoti Laurence theksoi se zyra e të drejtave të njeriut dhe njësia e procedurave speciale po ndjekin nga afër rastin në fjalë.
(Zëri i Amerikës)