Gjenevë, 24 gusht 2021 – Komisionerja e Lartë e Kombeve të Bashkuara për të drejtat e njeriut, Michelle Bachelet, ka thënë se ka pranuar raporte të besueshme që tregojnë për krime dhe për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në Afganistan nga ana e talibanëve.
Sipas saj, në këto raporte thuhet se yalibanët po kryejnë ekzekutime masive të civilëve dhe po i kufizojnë të drejtat e grave.
Bachelet ka kërkuar që Komiteti i OKB -së për të Drejtat e Njeriut të krijojë një mekanizëm për të monitoruar nga afër veprimet e talibanëve.
Ndërkaq, talibanëve u ka bërë thirrje që të respektojnë të drejtat e grave dhe vajzave dhe të pakicave etnike dhe fetare, si edhe që të përmbahen nga aktet e hakmarrjes.
“Unë i nxis fuqishëm talibanët që të miratojnë normat e qeverisjes së përgjegjshme dhe të respektojnë të drejtat e njeriut”, ka thënë ajo.
Bachelet e ka bërë këtë thirrje nga takimin emergjent të Komitetit të OKB -së për të Drejtat e Njeriut, i cili u mbajt të martën, me kërkesë të Pakistanit dhe Organizatës për Bashkëpunim Islamik.
Ndërkohë, trupat amerikane në Afganistan po shtojnë përpjekjet për evakuimin e mijëra njerëzve nga Kabuli, pasi talibanët paralajmëruan se afati i evakuimeve skadon më 31 gusht.
Talibanët kanë thënë se do të respektojnë të drejtat e njeriut, përfshirë të drejtat e grave dhe vajzave, por bota demokratike dyshon se talibanët do të qeverisin ndryshe nga ç’kishin sunduar para 30 vjetësh. (r.m.)