OKB njofton për mbi 400.000 të zhvendosur nga Gaza, paralajmëron krizë të tmerrshme humanitare

Gjenevë, 13 tetor 2023 – Palestinezët që jetojnë në veri të qytetit të Gazës kanë nisur të largohen nga shtëpitë e tyre drejt jugut të Rripit të Gazës, pas thirrjes së ushtrisë izraelite që të zhvendosen në pjesënjugore të Rripit të Gazës brenda 24 orësh.

Organizata e Kombeve të Bashkuara (OKB) njoftoi të premten herët se më shumë se 400.000 njerëz kanë ikur nga shtëpitë e tyre në Rripin e Gazës.

“Zhvendosja masive po vazhdon. Në Rripin e Gazës, numri i personave të zhvendosur brenda vendit është rritur për 25 për qind në 24 orët e fundit, duke e tejkaluar shifrën 423.000, dy e treta e të cilëve janë strehuar në shkollat e UNRËA-së”, tha OKB-ja duke iu referuar agjencinë së refugjatëve palestinezë.

OKB-ja tha se të enjten, pak para mesnatës, nga ushtria e Izraelit e mori një udhëzim, sipas të cilit 1.1 milion civilët që jetojnë në veri të Gazës i kanë 24 orë kohë që të zhvendosen në jug të Rripit të Gzës. Ky udhëzim erdhi mes bombardimeve masive të ushtrisë izraelite në qytetin e Gazës, në kundërpërgjigje të sulmeve terroriste të militantëve të Hamasit.

Zëdhënësi i OKB-së, Stephane Dujarriq, tha se një zhvendosje e tillë do të ketë pasoja të tmerrshme humanitare.

“Është e pamundur që një zhvendosje e tillë të bëhet pa pasoja të tmerrshme humanitare”, tha ai.

 “Ky është kaos, askush nuk e di çfarë të bëjë”, tha Inas Hamdan, një zyrtare e OKB-së për agjencinë e refugjatëve palestinezë në Qytetin e Gazës.

Gaza është plotësisht e rrethuar dhe e bllokuar nga Izraeli, i cili u zotua se rrethimi nuk do të përfundojë derisa Hamasi t’i lirojë të gjithë izraelitët që i ka marrë peng.

Gjatë sulmeve të fundjavës në Izrael, militantët e Hamasit i morën peng 150 izraelitë dhe i dërguan në Gaza. Raportohet se gjatë këtyre sulmeve militantët e Hamasit i vranë 1.300 izraelitë.

Ushtria izraelite nisi bombardimet masive në qytetin e Gazës, në kundërpërgjigjen ndaj sulmeve të Hamasit.  Zyrtarët palestinezë thanë se mbi 1.400 njerëz janë vrarë në Gaza nga bombardimet hakmarrëse.

(r.m.)