Olaf Scholz do të vizitojë vendet e Ballkanit Perëndimor, në muajin qershor

Berlin, 19 maj 2022 – Kancelari gjerman Olaf Scholz do të udhëtojë në Ballkanin Perëndimor, muajin e ardhshëm,  para se të mbahet takimi i Këshillit Evropian, ku pritet të përcjellë mesazhin se rajoni i përket Bashkimit Evropian.

“Gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE – Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia – janë përfshirë në procesin e reformave shumëvjeçare”, u tha Scholz ligjvënësve në Berlin, të enjten, citon Gazeta Shqiptare.

“Nderimi i angazhimeve tona ndaj tyre nuk është vetëm një çështje e besueshmërisë sonë. Sot, më shumë se kurrë, integrimi i tyre është gjithashtu në interesat tona strategjike”, tha ai.

Scholz foli edhe ndikimin e “fuqive të jashtme” në rajon, përfshirë Rusinë.

Në muajin prill, Scholz bëri thirrje të përshpejtohen përpjekjet e vend,eve të Ballkanit Perëndimor për t’u bashkuar me BE-në.

Në tetor të vitit të kaluar, liderët e BE-së, në një samit në Slloveni, përsëritën “angazhimin e tyre ndaj procesit të zgjerimit”.

Zyra e kancelarit gjerman tha të enjten se Scholz do të marrë pjesë në samitin e BE-së në fund të majit “me mesazhin e qartë se Ballkani Perëndimor i përket Bashkimit Evropian”.

(r.m.)